Orban për lirimin e policëve kosovarë: E vlerësoj shumë lëvizjen e Vuçiqit, dëshmi e bashkëpunimit tonë strategjik
Presidenti hungarez Viktor Orban tha se e vlerëson shumë hapin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për lirimin e tre policëve të Kosovës nga paraburgimi nga autoritetet serbe.
Orban tha në Tviter se ky vendim është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë dhe përkushtimit të përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sapo më njoftoi se në përputhje me kërkesën në takimin tonë të javës së kaluar, autoritetet serbe së shpejti do të lirojnë nga paraburgimi tre policë të Kosovës të arrestuar më parë. Ne e vlerësojmë shumë lëvizjen e presidentit Vuçiq, të cilin ai e ndërmori në një periudhë sfidash serioze dhe vendimi i të cilit është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik të vendeve tona dhe angazhimit tonë të përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, tha Orban.
Vendimin e autoriteteve serbe për lirimin e policëve kosovare e ka lavdëruar në Fejsbuk edhe ministri i punëve të jashtme hungarez Peter Sijarto.
“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sapo ka njoftuar kryeministrin Viktor Orban se, në përputhje me kërkesën e tij në takimin e javës së kaluar, autoritetet serbe së shpejti do të lirojnë nga paraburgimi tre police kosovare të arrestuar më parë. Viktor Orban e vlerëson shumë hapin e presidentit serb, të cilin ai e ndërmori në një periudhë sfidash serioze dhe vendimi i të cilit është një dëshmi e qartë e miqësisë së thellë mes popujve serb dhe hungarez dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve”, ka thënë Sijarto.
0 komentet