Borelli: U dakordësuan qëndrimet rreth propozimit europian, në vazhdim bisedime për implementimin
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE Zhozef Borelli ka thënë sot pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Sërbi, se të dyja palët u dakordësuan se nuk është e nevojshme për bisedime të mëtejshme rreth propozimit europian apo për diskutime rreth modaliteteteve për implementimin e tij.
Borelli, në konferencën për media, ku nuk u lejuan pyetje nga gazetarët, tha se sot në Bruksel u mbajt takimi i parë i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për këtë vit dhe i teti qysh prej fillimit të mandatit të tij si përfaqësues i lartë i Unionit.
Nënkryetari i Komisionit Evropian tha se në fokus të takimit ishte propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Sërbisë.
“Ky është një zhvillim i rëndësishëm, pasi prej verës së kaluar, jemi ndeshur me menaxhimin e krizave, pasi i kemi pasur të vazhdueshme. Tentuam të kontrollonim tensionet në terren. Tani po kalojmë nga menaxhimi i krizës dhe po kërkojmë një zgjidhje të strukturuar për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo që diskutuam sot është propozimi europian, i cili mbështetet nga 27 shtete anëtare”, theksoi ai.
Borelli tha se ky propozim i’u është paraqitur palëve në shtator dhe prej asaj kohe ka pasur ecejake diplomatike.
Ai ka raportuar se prej shtatorit të kaluar, kur u prezantua për herë të parë propozimi evropian, i dërguari i BE për dialog Mirosllav Llajçak ka udhëtuar në shumë raste drejt rajonit-ishte 10 herë në Prishtinë e tetë herë në Beograd.
Kjo tregon, nënvizon ai, se ka pasur një aktivitet të ngjeshur diplomatik.
Borelli tha se presidenti sërb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot kanë shfaqur gatishmëri për të gjetur një zgjidhje.
Vuçiq dhe Kurti u dakordësuan sot se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme rreth propozimit europian, i cili ka emrin-marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sërbisë. “Meqenëse ata janë dakordësuar për të, së shpejti do të publikohet në uebsajtin e BE”, tha ai.
Borelli theksoi se nga kjo marrëveshje përfitojnë qytetarët e Sërbisë dhe Kosovës, pasi parashikon mundësinë e udhëtimit me pasaportat, letërnjoftimet dhe targat e automjeteve të tyre.
“Kjo bën të mundur që njerëzit të studiojnë dhe punojnë pavarësisht se ku i kanë marrë diplomat”. Marrëveshja mund të krijojë mundësi të reja ekonomike përmes rritjes së mbështetjes së biznesit dhe investimeve të reja. Ofron mundësi më të mëdha punësimi pa burokraci. Do të thotë më shumë tregti, sepse çertifikatat nuk do të jenë më objekt diskutimi. Për sërbët e Kosovës kjo do të thotë më shumë siguri, parashikueshmëri, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe të drejtat e tyre, përfshirë KOS, si dhe trashëgiminë kulturore e fetare”, spegoi ai.
Borelli shprehu shpresën se marrëveshja mund të jetë bazë për tejkalimin e së kaluarës, si dhe vendosjen e mirëbesimit.
“Palët shprehën gatishmërinë e tyre për zbatimin e marrëveshjes. Kemi një listë të gjatë marrëveshjesh të pazbatuara. Palët ranë dakord të diskutojnë rreth modaliteteve për zbatimin e tyre. Ata shprehën gatishmërinë për të filluar zbatimin e marrëveshjes, por negociatat e mëtejshme janë për shkak të modaliteteve të zbatimit. Kjo do të thotë se diplomacia e ecejakeve do të vazhdojë dhe gjatë muajit mars, ku do të kemi një takim të ri të dy liderëve me qëllim finalizimin e marrëveshjes për aneksin zbatues, që është pjesë përbërëse e marrëveshjes”, shtoi ai.
Borelli raportoi se BE u kujtoi palëve detyrimin për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura më parë, të cilat mbetën të vlefshme dhe detyruese.
“Në mes të marsit, Llajçak do të jetë sërish në Kosovë dhe Sërbi për të vazhduar bisedimet dhe përgatitur takimin e radhës të nivelit të lartë”. Presim që palët t'i afrohen procesit në mënyrë konstruktive. “Të dyja palët ranë dakord të shmangin veprimet e njëanshme që mund të shkaktojnë tensione në terren dhe pengojnë marrëveshjen”, nënvizoi ai.
Borelli shprehu besimin se marrëveshja do t'i vendosë marrëdhëniet në një nivel të ri të qëndrueshëm.
Sipas tij, marrëveshja është e rëndësishme për të gjithë rajonin dhe tregon se përparimi është i mundur.
“Sot është bërë progres por në të njëjtën kohë kemi ende shumë punë përpara në mënyrë që ajo që është dakordësuar, të gjejë zbatim”. Është e rëndësishme të dakordësohemi, por është edhe më e rëndësishme të zbatohet ajo që është rënë dakord”, theksoi Borelli, duke shfaqur shpresën se marrëveshja do të arrihet në Këshillin e BE.
0 komentet