Brnabiq me kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut: Beogradi i përkushtuar për dialog me Prishtinën

Kryeministrja Ana Brnabiq ka biseduar me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bethel, dhe ka vlerësuar se vizita e tyre në Serbi paraqet një ngjarje unike dhe shumë të rëndësishme politike, transmeton RTS.

Me atë rast, Brnabiq ka theksuar se Beogradi është plotësisht i përkushtuar për dialogun me Prishtinën.

Ajo shtoi se për Serbinë po aq e rëndësishme është edhe çështja e mbrojtjes së parezervë dhe garantimit të sigurisë së pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë.

“Ne jemi të përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe gjetjen e një zgjidhjeje në dialog, gjë që dëshmohet nga konstruktiviteti që pala serbe vazhdimisht tregon”, ka theksuar Brnabiq.

Ajo theksoi se vizita e kryeministrave të Holandës dhe të Luksemburgut tregon se marrëdhëniet bilaterale me këto dy vende janë shumë të mira dhe se ardhja e tyre në Beograd e ka intensifikuar veçanërisht dialogun politik.

Brnabiq tha se me Holandën dhe Luksemburgun, të cilët janë ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Serbisë, po arrihet bashkëpunim i suksesshëm ekonomik dhe një fluks investimesh.

Ajo theksoi se integrimi evropian është prioritet i politikës së jashtme të Serbisë dhe se mbështetja e Holandës dhe Luksemburgut është e rëndësishme për përshpejtimin e këtij procesi.

Ajo i njoftoi bashkëbiseduesit për reformat që po ndërmerr Serbia në atë rrugë, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve.

Bashkëbiseduesit u pajtuan për rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan, si dhe rëndësinë e perspektivës evropiane të Republikës së Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.