Brnabiq me shefen e UNMIK-ut Zijade: Jemi të shqetësuar për sigurinë e serbëve në Kosovë

Ana Brnabić i Karolin Zijade
Burim: Kosovo Online

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka takuar sot shefen e UNMIK-ut, Karolina Zijade, me të cilën ka diskutuar për raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut për situatën në Kosovë dhe Metohi, qëndrimin e serbëve dhe të popullatës joshqiptare, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë, Brnabiq ka theksuar se është shumë e shqetësuar për sigurinë e serbëve në Kosovë, të cilët vazhdimisht janë të ekspozuar ndaj provokimeve nga Prishtina.

Brnabiq theksoi se varrezat dhe kishat serbe po shkatërrohen vazhdimisht, që dërgon një mesazh të qartë se serbët nuk janë të mirëpritur në Kosovë.

Kur është fjala për Marrëveshjen e Brukselit, kryeministrja ka kujtuar se ky dokument nuk është zbatuar nga Prishtina për 10 vjet. Ajo ka theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit dhe themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, gjë që do t'u mundësojë serbëve të ndihen më të sigurt.

Duke folur për nismën “Ballkani i Hapur”, Brnabiq theksoi se ky format është një mundësi e shkëlqyer për të lidhur të gjithë rajonin, për të arritur prosperitet ekonomik, si dhe një qarkullim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave.

Zijade tha se qëllimi është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe veçanërisht vlerësoi iniciativën “Ballkani i Hapur” si një mundësi për integrim më të mirë ekonomik të rajonit.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut për situatën në Kosovë do të prezantohet në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 27 prill 2023.