Brnabiq: U miratua Deklarata e Beogradit, u konfirmua përkushtimi ndaj rrugës evropiane dhe respektimit të Kartës së OKB-së
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, njoftoi sot se në ditën e dytë të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian është miratuar Deklarata e Beogradit, me të cilën u konfirmua përkushtimi i të gjitha shteteve ndaj rrugës evropiane si rruga më e mirë për qytetarët dhe ekonominë, ndaj ndërtimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit, si dhe përkushtimi i plotë ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare, mbi të gjitha ndaj parimit themelor – respektimit të integritetit territorial të shteteve të njohura ndërkombëtarisht.
“Ishte një nder i madh që për herë të parë të mirëpresim kryetarët dhe përfaqësuesit e parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim në BE dhe të zhvillojmë bisedime. Gjatë këtyre dy ditëve vendosëm një format të përbashkët bashkëpunimi. Me miratimin e Deklaratës së Beogradit e bëmë këtë format të përhershëm dhe u dakorduam që takimi i ardhshëm, në vitin 2027, të mbahet në Moldavi. Me këtë deklaratë konfirmuam përkushtimin e të gjitha vendeve tona ndaj rrugës evropiane si rruga më e mirë për qytetarët dhe ekonominë, ndaj ndërtimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit, por edhe përkushtimin e plotë ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare, para së gjithash ndaj parimit themelor – respektimit të integritetit territorial të shteteve të njohura ndërkombëtarisht”, tha Brnabiq në konferencën për media së bashku me kryetarin e Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk.
Ajo shtoi se të gjitha vendet do të vazhdojnë të punojnë së bashku për reformat dhe të shkëmbejnë njohuri e përvoja për të zgjidhur sfidat në rrugën drejt BE-së.
“U dakorduam që në ditët në vijim, përmes këtij formati bashkëpunimi, t’u drejtojmë ftesë institucioneve evropiane, para së gjithash Parlamentit Evropian, por edhe asambleve të tjera parlamentare të organizatave ndërkombëtare, si Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Asambleja Parlamentare e OSBE-së, që t’i bashkohen nismës sonë në cilësinë e vëzhguesve”, njoftoi kryetarja e Kuvendit të Serbisë.
Ajo falënderoi kolegun ukrainas për nisjen e kësaj nisme dhe për faktin që takimi i parë u mbajt në Beograd.
“Jam mirënjohëse edhe ndaj të gjithë kryetarëve të tjerë të parlamenteve që iu përgjigjën ftesës dhe që në fund pamë një nivel mbresëlënës gatishmërie për bashkëpunim dhe gjetjen e kompromisit, në mënyrë që të gjithë të mbështesnim tekstin e Deklaratës. Për mua ky është fillimi më i mirë i mundshëm dhe jam e bindur se në javët e ardhshme do të tregojmë se ky nuk ishte vetëm një takim, por fillimi i një niveli të ri bashkëpunimi që dërgon një mesazh pozitiv për partnerët tanë në BE”, shtoi Brnabiq.
Stefançuk: Para nesh është vetëm një rrugë – rruga drejt BE-së
Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk, shprehu kënaqësinë që gjatë dy ditëve të qëndrimit në Beograd pati mundësinë të diskutojë për të ardhmen e vendeve kandidate.
“Po largohem me disa mesazhe, dhe i pari është se ky takim ishte i suksesshëm. Arritëm të mbledhim kryetarët dhe përfaqësuesit e parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim dhe të bisedojmë hapur e sinqerisht për çështjet që na bashkojnë. Rruga jonë drejt BE-së është një platformë e mirë bashkëpunimi. Ne nuk jemi konkurrentë, por partnerë. Duhet të ndajmë sukseset dhe dështimet, rezultatet e bashkëpunimit, sepse para nesh kemi vetëm një rrugë – rrugën drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Stefançuk.
Ai shtoi se realiteti në të cilin jeton populli ukrainas shoqërohet çdo ditë me alarmet për sulme ajrore.
“Sot folëm edhe për krimin e Rusisë kundër Ukrainës, për kriminelin Putin, i cili vetëm gjatë ditëve të fundit në Kiev ka vrarë më shumë se 50 civilë – fëmijë, të moshuar dhe gra. Kjo është jashtë çdo standardi për të cilin biseduam”, tha Stefançuk.
Ai bëri të ditur se në Beograd u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërmjet vendeve kandidate dhe shprehu mirënjohje ndaj Anës Brnabiq dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për dialogun e sinqertë.
“Si rezultat i këtij dialogu, kam arritur në përfundimin se mes nesh nuk ka probleme, por vetëm potencial për bashkëpunim. Kur ju folët në serbisht, ju kuptova pa pasur nevojë për përkthyes. Po ashtu, edhe ju kuptoni shumë kur unë flas në ukrainisht. Kjo ndodh sepse popujt tanë janë shumë më të afërt sesa disa përpiqen të paraqesin. Ne jemi kombe luftëtarësh, dimë çfarë janë dinjiteti, nderi dhe kujtesa e popullit. Kemi arritur shumë marrëveshje”, tha Stefançuk.
Në takimin e sotëm, përveç Brnabiqit dhe Stefançukut, morën pjesë edhe përfaqësues parlamentarë nga Maqedonia e Veriut, Moldavia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Gjeorgjia dhe Mali i Zi.
Konferenca e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian u hap dje në Pallatin e Serbisë, ndërsa pjesëmarrësve iu drejtua edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nuk duhet të priten mrekulli apo zgjerime të mëdha të BE-së në vitet e ardhshme.
Organizimi i konferencës është një nismë e përbashkët e parlamenteve të Serbisë dhe Ukrainës dhe është hera e parë që kryetarët e parlamenteve të vendeve kandidate nisin një format të tillë bashkëpunimi.
komentet