Daçiq: Ekstradimi i Radoiçiqit në Prishtinë është i pamundur, do gjykohet në gjykatat vendase

Beograd_231128_intervju_Ivica Dačić 05
Burim: Kosovo Online

Ministri i punëve të jashtme të Sërbisë Ivica Daçiq duke komentuar shpalljen në kërkim nga Interpol për ish nënkryetarin e Listës Sërbe Millan Radoiçiq, ka theksuar se ekstradimi i tij drejt Prishtinës është i pamundur, transmeton Danas.

Daçiq ka thënë se presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq më herët këtë gjë e ka konfirmuar se po hetohet për Radoiçiqin, ashtu sikurse dhe po ndërmerren procedura për t’u gjykuar në gjykatat vendase.

"Presidenti Vuçiq ka thënë se hetimi ndaj Radoiçiqit është duke u ndërmarrë dhe të gjithë proceset gjyqësore do të zhvillohen në gjykatat vendase. Është e pamoralshme që autoritetet në Prishtinë të cilat vijnë nga pylli, nga UÇK, të shpallin terrorist popullin sërb" ka thënë Daçiq.

Pyetjes nëse për të gjitha problemet me të cilat përballet komuniteti sërb i vetmi fajtor është kryeministri kosovar Albin Kurti, ndërsa pushteti në Beograd kryesuar nga presidenti Vuçiq nuk mban asnjë përgjegjësi, Daçiq tha se për të gjitha problemet e sërbëve në Kosovë, fajtore është qeveria e Albin Kurtit, por edhe ish-kryeministrat kosovarë që nuk e zbatuan marrëveshjen e Brukselit.

"Përgjegjës është dhe bashkësia ndërkombëtare e cila mendon se mund të na mashtrojë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit. Ata tani thonë se nuk ka zbatim të Marrëveshjes së Brukselit pa njohjen paraprake të pavarësisë së Kosovës. Kjo për ne është e papranueshme" tha Daçiq për Beta.

I pyetur nëse dhe çfarë i solli komunitetit sërb në Kosovë marrëveshja e Brukselit, Daçiq tha se marrëveshja i solli dhjetë vjet paqe.

"Në dhjetë vite nuk kemi patur presione për të njohur Kosovën. Fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar ka treguar se nuk ka kredibilitet që Prishtinën t’a nxisë për të përmbushur detyrimet sipas marrëveshjes. Komuniteti sërb nuk është në pozitë të vështirë për shkak të Marrëveshja e Brukselit, por për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes nga ana e Kurtit. Qëndrimi i Prishtinës është që të mos zbatojë asgjë që nuk i përshtatet konceptit të tyre të pavarësisë” ka theksuar ai.

Duke komentuar vendimin e Listës Sërbe që sërbët të braktisnin institucionet kosovare, Daçiq ka thënë se ky ishte reagim ndaj keqtrajtimit dhe mungesës së sigurisë dhe se ky vendim ishte i drejtë sepse ka vënë në pah problemet e krijuara nga politikat e Kurtit.

Për Marrëveshjen e Ohrit, Daçiq tha se presidenti Aleksandar Vuçiq ka përjashtuar pëlqimin e tij për pjesët që mund të interpretohen si njohje de facto ose de jure e Kosovës.

"Ne kurrë nuk e kemi pranuar Marrëveshjen e Ohrit në tërësi. Presidenti Vuçiq tha se në Kosovë dhe Metohi fillimisht duhet të formohet BKS, e pastaj të diskutojmë për gjithçka" theksoi ai.

I pyetur se pas pranimit të planit franko-gjerman si shef i diplomacisë, çfarë bëri tek mosnjohja e pavarësisë së Kosovës, Daçiq tha se ky proces vazhdon, por rreth kësaj nuk flitet në publik. “Në vitet e kaluara 28 shtete tërhoqën njohjen e Kosovës dhe ne këtë politikë do të vazhdojmë”, tha Daçiq.