Daçiq: Gjithçka që ndodh në Prishtinë kalon pa reagim nga bashkësia ndërkombëtare

Dačić
Burim: Kosovo Online

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se gjithçka që ndodh në Prishtinë kalon pa reagim nga bashkësia ndërkombëtare, dhe se ka standarde të dyfishta.

“Mund ta kishit lexuar lajmin se po bëhen stërvitje të përbashkëta, siç thonë, dy ushtrive, ministri i rrejshëm i mbrojtjes i Prishtinës thotë se janë dy ushtri. Imagjinoni sikur Serbia të zhvillonte stërvitje ushtarake me Republikën Serbe. Nuk ka reagime nga bashkësia ndërkombëtare, siç e dini, Prishtina nuk mund të ketë ushtri sepse nuk është në përputhje me Rezolutën 1244. Kjo vetëm konfirmon se ata po punojnë së bashku për të krijuar një shtet, një “Shqipëri të madhe”, thotë Daçiq.

Ai paralajmëron Prishtinën që të mos e përdor situatën në lidhje me zgjedhjet në kuptimin e eskalimeve të mëtejshme në terren, sepse Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun, por se provokimet janë një shqetësim i madh.

“Siç e kam theksuar shumë herë, problemi kryesor në Ballkan është Albin Kurti, por me ndihmën e të gjithë atyre që e tolerojnë sjelljen e tij, ata janë bashkëfajtorë në çdo gjë dhe presin që Serbia ta paguajë çmimin. Kur terroristët shqiptarë të UÇK-së sulmuan ushtrinë dhe policinë serbe në vitet '90, Holbruk dhe të tjerët u ulën me ta dhe biseduan, ka regjistrime. Dhe tani serbët në veri janë terroristë me të cilët nuk duhet biseduar, por duhet arrestuar dhe dëbuar, këto janë standarde të dyfishta të bashkësisë ndërkombëtare, dhe unë mund të shpreh vetëm zhgënjimin dhe indinjatën e Serbisë sepse askush nuk po reagon”, shtoi Daçiq në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Burkina Fasos.