Departamenti i Shtetit: SHBA nuk mbështet asnjë lëvizje për ndryshimin e statusit të urës në Mitrovicë

Stejt Department
Burim: Print Screen/You Tube

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se nuk mbështet asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë, duke paralajmëruar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që të mos vazhdojë me veprime të njëanshme, shkruan “Pavlovic Today”.

"Shtetet e Bashkuara për momentin nuk mbështesin asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës në Mitrovicë. Hapja e urës për trafikun e automjeteve aktualisht rrit potencialin për dhunë dhe rrezikon popullatën lokale si dhe ushtarët e KFOR-it, duke përfshirë amerikanët, të cilët punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në përgjigjen e portalit “Pavlovic Today”.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga veprimet e njëanshme dhe në vend të kësaj të merret me këtë çështje në kuadër të dialogut me mbështetjen e BE-së.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos e ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar dhe të njëanshëm dhe ta diskutojë këtë çështje në kuadër të Dialogut me mbështetjen e BE-së”, tha zëdhënësi.

Departamenti i Shtetit theksoi se ky qëndrim është në përputhje me qëndrimin e partnerëve nga Quint-i, si dhe BE-së dhe NATO-s.

Qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Departamentit të Shtetit, është që “të punojnë me Qeverinë e Kosovës për të krijuar kushte në të cilat ura mund të hapet për qarkullimin e automjeteve”.

“Për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundoi Departamenti i Shtetit.