Drecun: Problemi i Kosovës e Metohisë mund të gjejë zgjidhje vetëm në Kombet e Bashkuara
Kryetari i Këshillit Parlamentar për Kosovë e Metohi Millovan Drecun thotë se ajo çfarë tha dje në konferencën për mediat presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq, tregon se situata në Kosovë po hyn në fazë dramatike zhvillimesh dhe se nuk ka ndonjë shpresë që Prishtina do të tërhiqet prej veprimeve të njëanshme, transmeton RTS.
Drecun thekson se është i shqetësuar për veprimet e pamatura prej Prishtinës. Ai shton se një tjetër inkursion i policëve kosovarë të armatosur në territorin e Sërbisë qëndrore, tregon se KFOR nuk po e kryen mandatin e tij sepse, siç thotë, nuk duhet të lejojë që një gjë e tillë të ndodhë, pra formacionet e armatosura të Prishtinës, duhet t‘i largojë përtej vijës administrative.
"Kjo tregon pamaturinë e Prishtinës, e cila me sa duket nuk turpërohet nga shkaktimi i incidenteve jashtëzakonisht serioze. Policët tanë mund të kishin hapur zjarr. Kjo është shkelje e të gjitha marrëveshjeve egzistuese, përfshirë Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike" thotë. Drecun.
Ky i fundit thotë se është e dukshme se egziston direktivë nga Prishtina që forcat policore mund të “operojnë” përgjatë vijës administrative dhe nëse është e nevojshme edhe t’a kalojnë.
“Kjo është diçka e papranueshme, diçka që krijon kushte për një vërshim të vazhdueshëm të incidenteve të armatosura, të cilat i shkakton Prishtina, në këtë anë të vijës administrative”, paralajmëron Drecun.
Për shkak të situatës në Kosovë, Vuçiq njoftoi dje se do të kërkojë bisedime me kreun e NATO Jens Stoltenberg dhe më pas seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit. Drecun thekson se duhet pritur që të arrihet ndonjë rezultat, duke pasur parasysh se sipas Rezolutës 1244, është detyrë e Këshillit të Sigurimit të mbrojë rezolutën dhe të zbatojë masat e synuara ndaj saj, por thekson se është mjaft joreale të pritet që SHBA, Britania e Madhe dhe Franca të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe të vënë në dyshim mbështetjen ndaj Prishtinës.
“Përveç të gjitha paralajmërimeve dhe kërcënimeve verbale ndaj Albin Kurtit si pasojë e veprimeve të njëanshme të dhunshme që po ndërmerr, shikojmë se situata nuk po qetësohet. Prishtina po ndërmerr aktivitete që tregojnë se po përgatitet për përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në periudhën e ardhshme dhe duket se nuk i interesojnë të gjitha masat që gjoja po ndërmerr Bashkimi Europian dhe SHBA kundër Prishtinës. Është kaq e pabesueshme që këto masa të mos japin ndonjë rezultat të pritur” thotë Drecun.
Ky i fundit beson se problemi i Kosovës mund të zgjidhet vetëm në Kombet e Bashkuara.
“Të gjitha historitë rreth Pesëshes dhe rreth konferencave ndërkombëtare, janë lëvizje të njëanshme, nuk mund të çojnë në zgjidhjen e problemeve në Kosovë e Metohi”, thekson Drecun.
0 komentet