Escobar: Obligimi i Prishtinës për të formuar BKS-në, ne duam që procesi të zhvillohet më shpejt

Gabrijel Eskobar
Burim: Reporteri

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA pret që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe se palët duhet të angazhohen për zbatimin e obligimeve për të cilat kanë rënë dakord, transmeton Mina.

Ai tha se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës paraqet zhvillimin historik të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, e cila në kushtet evropiane krijon një marrëdhënie paqësore, të qëndrueshme dhe të parashikueshme ndërmjet dy shteteve fqinje armiqësore, është një arritje e jashtëzakonshme. U desh shumë guxim politik si nga presidenti Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri Kurti për të arritur këtë marrëveshje”, shtoi Escobar.

Ai theksoi se është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme.

"Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Gjuzepe Borel, tha se marrëveshja është ligjore dhe ligjërisht e detyrueshme. Dhe të dy udhëheqësit e konfirmuan atë. Tani pyetja është se si të zbatohet plotësisht", tha Escobar.

Ai tha se është optimist se “do të arrihet qëllimi”, si dhe se beson se të dy liderët mund të tregojnë vullnetin politik të nevojshëm për të hedhur hapat e duhur.

"Me Serbinë janë disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, kartave të identitetit dhe disa gjërave tjera. Kosova pritet të formojë edhe Bashkësinë e Komunave Serbe. Më vjen keq, kjo nuk është pritje, është një obligim”, tha Escobar.

Ai tha se SHBA dëshiron që këto procese të zhvillohen sa më shpejt.

“Unë nuk shoh ndonjë arsye pse nuk mund të përfundohet deri në fund të verës”, tha Escobar.