Escobar vjen në Prishtinë, me autoritetet e Kosovës për dialogun dhe heqjen e dinarit
Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nga data 10 deri më 18 mars do të vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi dhe në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë, siç njoftoi Departamenti i Shtetit, me përfaqësues të qeverive të Kosovës do të diskutohet për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe vendimin e BQK për shfuqizimin e dinarit.
Siç njoftoi Departamenti i Shtetit gjatë qëndrimit të tij në Belgjikë, Përfaqësuesi Special Escobar do të takohet me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak dhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të diskutuar përpjekjet për avancimin e reformave që do të sjellin paqe të qëndrueshme, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në Kosovë, ai do të takohet me liderët e qeverisë së Kosovës, shoqërisë civile dhe komuniteteve serbe të Kosovës, me qëllim që të theksojë mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Përfaqësuesi special do të mbajë takime për ndikimin e rregulloreve të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në operacionet me para të gatshme dhe do të inkurajojë hapat për të siguruar që nevojat e qytetarëve të Kosovës të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje”, thuhet në deklaratë.
komentet