Lajçak: Tri kërkesa mbeten në fuqi - deeskalimi, zgjedhjet e reja dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit

Miroslav Lajčak
Burim: Kosovo Online

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, duke përmbledhur javën e kaluar, ka bërë të ditur se gjatë takimeve në Bruksel, përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës i ka prezantuar pritjet e qarta të BE-së në tre hapa - deeskalimi, zgjedhjet e reja dhe zbatimi i marrëveshjes nga Ohri.

Lajçak thekson se situata në veri të Kosovës është ende shumë e tensionuar.

“Në emër të BE-së i paraqitëm pritjet tona të qarta për të dyja palët, të fokusuara në tre elementë: deeskalimi, zgjedhjet e reja në veri dhe kthimi në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Në ditët në vijim do të mbetemi në kontakt të ngushtë me të dyja palët, po ashtu do të monitorojmë me kujdes zhvillimet në fushë”, tha Lajçak.

Lajçak shton se gjatë javës në SHBA ka takuar nënsekretaren amerikane Viktoria Nulland dhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Sholle.

“Kemi ndarë një vlerësim të përbashkët për situatën në veri të Kosovës. Ne e theksuam rëndësinë e deeskalimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialog me BE”, ka shkruar Lajçak.

Gjithashtu, Lajçak tregon se është takuar edhe me të dërguarin special për SHBA, Gabriel Eskobar, me të cilin ka biseduar për situatën në rajon.

Lajçak shton se pati diskutime të rëndësishme me disa zyrtarë amerikanë, duke përfshirë zëvendës këshilltarin kryesor për sigurinë kombëtare Xhon Finer, drejtoren e Lartë për Evropën Amanda Slloat, senatorët Kris Van Hollen dhe Kris Marfi dhe ndihmës sekretaren për sigurinë ndërkombëtare Selleste Vallander, nënsekretaren e OKB-së Rozmari di Karllo.

“Ne zhvilluam diskutime në lidhje me situatën e sigurisë, hapat e nevojshëm për deeskalim dhe rrugën përpara në dialog dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, tha Lajçak.