Gariq: Pas Ligjit për pronën publike fshihet një rrezik i madh për serbët në KeM

Beograd_240418_Podkast_Miloš Garić
Burim: Kosovo Online

Me Ligjin e ri për pronën publike, Prishtina do t’ua hiqte plotësisht komunave serbe në Kosovë të drejtën e administrimit të pronës, deklaroi gazetari Millosh Gariq. Ai theksoi se bëhet fjalë për një plan të mirëmenduar, që synon ta zhvlerësojë plotësisht çdo mundësi të vetëqeverisjes së serbëve, transmeton RTS.

Gariq tha se një akt i tillë do t’ua hiqte komunave me shumicë serbe mundësinë për të vendosur mbi projektet në territorin e tyre, ndërsa “çdo investim do të lihej në mëshirën e Prishtinës”.

“Pas këtij ligji fshihet një rrezik i madh për serbët në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, tha Gariq, duke vlerësuar se bëhet fjalë për “një tjetër në vargun e përpjekjeve të ekstremistëve në Prishtinë, të udhëhequr nga Albin Kurti, për t’ua vështirësuar plotësisht jetën serbëve” dhe për t’ua pamundësuar që të vendosin vetë për fatin e tyre, ashtu siç parashikohet me Marrëveshjen e Brukselit.

Sipas tij, ligji do t’ua hiqte plotësisht komunave në Kosovë të drejtën e administrimit të pronës dhe është e qartë se objektivi janë Asociacioni i Komunave Serbe dhe komunat në Kosovë ku serbët përbëjnë shumicën absolute.

“Kjo do të çonte në një situatë ku këto komuna nuk do të kishin asnjë mundësi të administronin pronën dhe tokën e tyre, si dhe të gjitha çështjet me të cilat duhet të merren komunat”, tha Gariq për RTS.

Ai thekson se gjithçka do të centralizohej dhe se për çdo vendim do të pyetej Prishtina, me ç’rast vetëqeverisja lokale nuk do të kishte asnjë mundësi për të marrë vendime.

“Kjo është e drejtuar kundër paqes, kundër sigurisë dhe kundër mundësisë së dialogut. Të gjithë presim që aktorët ndërkombëtarë ta ngrenë zërin”, tha Gariq.

Ai vëren se është e qartë që gjithçka drejtohet kundër serbëve.

“Sepse pikërisht kjo është gjëja më e rëndësishme për serbët në këtë moment: që në komunat dhe mjediset ku jetojnë, veçanërisht aty ku përbëjnë shumicën, të mund ta organizojnë jetën në mënyrën që ata e konsiderojnë të duhur dhe të mund të ndikojnë në proceset që lidhen me zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, arsimin, zhvillimin urban dhe rural, si dhe me të gjitha çështjet e tjera”, tha Gariq.

Ai rikujtoi se kjo garantohet si nga Marrëveshja e Brukselit, ashtu edhe nga ligjet aktuale në fuqi në Kosovë.

Ai thekson se bëhet fjalë për një plan të mirëmenduar, që synon ta zhvlerësojë plotësisht çdo mundësi të vetëqeverisjes së serbëve, por edhe ta pezullojë Marrëveshjen e Brukselit.

“Kjo është ajo që Albin Kurti po përpiqet të bëjë gjatë gjithë këtyre viteve, përmes bllokimit të dialogut dhe tani edhe përmes shkaktimit të një paralize të plotë politike dhe institucionale në Kosovë dhe Metohi”, tha Gariq.

Gariq konsideron se kriza aktuale parlamentare në Prishtinë lë hapësirë që një ligj i tillë ndoshta të mos miratohet. Ai tha se Kurti parashtron kërkesa maksimaliste dhe sillet si “pronar absolut i Kosovës”.

Ai vlerësoi se, nëse situata vazhdon në këtë mënyrë, Kosova me shumë gjasë do të shkojë përsëri në zgjedhje, veçanërisht duke pasur parasysh se më 16 shtator pritet aktgjykimi ndaj të akuzuarve në Hagë, gjë që mund të ndikojë në atmosferën politike përpara zgjedhjeve të reja.

Gariq theksoi se politika e Kurtit ndaj serbëve përbën një terror të paprecedentë në territorin e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, duke përmendur se kohët e fundit janë regjistruar edhe raste të rrahjes brutale të personave të moshuar dhe të pafuqishëm.

“Serbët janë këmbëngulës, të qëndrueshëm dhe vitalë dhe, me të vërtetë, mbajnë një barrë të madhe mbi shpatulla”, tha Gariq.

Ai shtoi se serbët në Kosovë janë “heronjtë e kohës sonë”.

Edhe bashkëbiseduesit e Kosovo online paralajmëruan të dielën se miratimi i ligjit në formën e tij aktuale do të nënkuptonte zhdukjen e komunave serbe në Kosovë.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, theksoi se kjo praktikisht do të nënkuptonte që Komuna, për çdo projekt infrastrukturor apo investim të planifikuar, do të duhej të kërkonte pëlqimin e nivelit qendror, dhe se në një situatë kur Albin Kurti tashmë po i zbaton synimet e tij në Mitrovicën e Veriut pa pyetur askënd, “vetëm mund të imagjinohet se çfarë do të ndodhte nëse një ligj i tillë do të miratohej dhe do të hynte në fuqi”.

Ndryshe, vërejtje ndaj Projektligjit për pronën publike ka edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.