Gjuriq: Çështja e Kosovës dhe Metohisë nuk është vetëm territoriale, ajo është çështje identitare

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, i tha televizionit TRT World në Forumin Diplomatik në Antalia se Serbia mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare, dialogut dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve në mbarë botën, me theksin se stabiliteti i Ballkanit nuk mund të izolohet nga siguria më e gjerë evropiane dhe globale.
Duke folur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Gjuriq tha se Serbia mbetet e vendosur për vazhdimin e dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian, por se pret që të respektohen marrëveshjet e arritura më parë.
“Për ne çështja e Kosovës dhe Metohisë nuk është vetëm territoriale – është çështje identitare, është vendi ku ndodhet selia e kishës sonë, Manastiri i Pejës, i cili ekziston më shumë se tetë shekuj dhe është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Patriarku nuk mund ta vizitojë këtë manastir. Është një çështje thellësisht emocionale për popullin tonë. Megjithatë, ne marrim pjesë në mënyrë konstruktive në dialog, sepse duam një mjedis të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë. Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të lëvizjeve të njëanshme të autoriteteve në Prishtinë, të cilat çojnë në kufizimin e të drejtave kolektive politike dhe kulturore të serbëve në Kosovë. Prandaj jemi të shqetësuar dhe për këtë insistojmë në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit”, tha Gjuriq.
Ai deklaroi se si ministër i Punëve të Jashtme merr pjesë në shumë forume dhe tubime, por gjithashtu theksoi se Forumi i sivjetshëm në Antalia vendosi një standard të ri.
“Jo vetëm nga numri i pjesëmarrësve, por edhe nga thellësia dhe rëndësia e mesazheve që u dërguan. Fjalimi i Presidentit të Turqisë, veçanërisht pjesa në të cilën ai theksoi nevojën për rivendosjen e diplomacisë dhe dialogut si mjetet kryesore për zgjidhjen e një numri në rritje të krizave ndërkombëtare, ishte një nxitje e fortë në drejtimin që edhe ne e mbështesim”, tha Gjuriq.
Gjuriq u bëri koment edhe mbi konfliktin në Gaza, duke theksuar se Serbia po e ndjek aktivisht situatën dhe po ndërmerr hapa për të ndihmuar, përfshirë përpjekjet për lirimin e shtetasit serb që ndodhet midis pengjeve.
“Alon Ohel u rrëmbye më 7 tetor të vitit të kaluar. Ai është shtetas i Serbisë dhe i Izraelit, gjyshi i tij është nga Novi Sadi, dhe ai është kushëriri im. Aloni është civil, artist, pianist, i cili nuk ka marrë pjesë në aktivitete ushtarake. Fatkeqësisht, ai u kap në një rrethanë tragjike. Me këtë rast bëj apel për lirimin e tij të menjëhershëm. Serbia ka dërguar ndihma humanitare për banorët e Gazës dhe ne besojmë fuqishëm se ka ardhur koha që diplomacia të rikthehet në qendër të zgjidhjes së kësaj çështjeje – sepse, edhe pse ka shumë bisedime, tani kemi nevojë urgjente për rezultate konkrete,” theksoi Gjuriq.
I pyetur se si qytetarët e Serbisë e shohin këtë konflikt, Gjuriq u përgjigj se populli i Serbisë dëshiron paqe dhe se këtë e vërtetojnë veprimet konkrete të Serbisë në nivel ndërkombëtar.
"Serbia po merr pjesë në misionin paqeruajtës UNIFIL në Liban, me rreth 200 ushtarë të dislokuar përgjatë lumit Litani. Kjo tregon përkushtimin tonë për paqen dhe stabilitetin, edhe nëse nuk jemi një vend i madh. Sigurisht, ne jemi të shqetësuar për sigurinë e ushtarëve tanë, si dhe të gjithë paqeruajtësve. Ata që punojnë për të vendosur paqen nuk duhet të vihen në rrezik", tha ministri.
Në temën e energjetikës, Gjuriq theksoi përpjekjet e Serbisë për të siguruar sigurinë energjetike, përfshirë marrëveshjen strategjike me SHBA-në dhe marrëdhëniet e mira me Azerbajxhanin, Turqinë dhe Rusinë. Ai shtoi se Serbia është duke biseduar me të gjithë partnerët për të shmangur efektet negative të sanksioneve ndaj qytetarëve.
“Në shtatorin e kaluar në Uashington kam nënshkruar një marrëveshje për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara në fushën e energjisë. Përveç kësaj, kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Azerbajxhanin, Turqinë dhe vende të tjera. Natyrisht, ekziston edhe bashkëpunimi tradicional me Rusinë, e cila është pronare e NIS-it. Po zhvillojmë bisedime me të gjithë aktorët për të siguruar që qytetarët të mos ndiejnë pasojat e sanksioneve, të cilat – sipas atyre që i vendosin – nuk janë të destinuara të godasin popullin e zakonshëm. Detyra jonë është të mbrojmë qytetarët tanë dhe të garantojmë furnizim të qëndrueshëm me energji,” theksoi ai.
Në fund, Gjuriq foli edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se administrata e Donald Trumpit, nëse kthehet në pushtet, mund të sjellë një dinamikë të re pozitive.
“Donald Trump është politikani perëndimor më i popullarizuar në Serbi. Kjo nuk është e motivuar ideologjikisht – si qytetarët e orientuar nga e majta, ashtu edhe të djathtët në Serbi shohin te Trumpi një potencial për rivendosjen e marrëdhënieve me SHBA-në. Ndryshe nga vitet ’90, sot kemi marrëdhënie shumë më të qëndrueshme dhe tashmë kemi nisur një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara. Do të dëshironim që në periudhën e ardhshme këto marrëdhënie të bëhen edhe më përmbajtësore dhe më të forta,” përfundoi Gjuriq.
0 komentet