Gjuriq: Dëshirojmë që NATO të marrë kompetencën në veri të Kosovës

Ambasadori i Serbisë në Uashington, Marko Gjuriq, në një intervistë në televizionin amerikan Newsmax, ka deklaruar se rruga e vetme që Serbia e sheh përpara është që forcat e NATO-s të marrin kontrollin e veriut të Kosovës.
"E vetmja rrugë që shohim përpara, edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme ta dëgjojmë këtë nga ambasadori serb, është të kërkojmë nga NATO që të marrë kontrollin e veriut të Kosovës në vend të forcave speciale të Kurtit. Ne gjithashtu kërkojmë një hetim të pavarur ndërkombëtar për atë që ka ndodhur, për shkak se u sulmua manastiri serb, u vranë tre serbë vendas, si dhe një polic i Kosovës, por që sipas marrëveshjeve ekzistuese nuk është dashur të jetë aty”, tha Gjuriq.
Gjuriq shtoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, para së gjithash, duke dërguar forcat e tij speciale në veri të Kosovës, ka ushtruar dhunë ndaj marrëveshjeve ekzistuese.
“Nuk dua të spekuloj se kush qëndron pas incidentit dhe sulmit, vetëm e di se tre serbë të Kosovës fatkeqësisht kanë vdekur si pasojë e atij sulmi. Këta janë banorë vendas, dhe jo siç thotë Ministri i Punëve të Jashtme të Prishtinës. Asgjë nga këto nuk ndodhi derisa kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, nuk erdhi në pushtet”, tha Gjuriq.
Sipas tij, për 20 muaj Kurti fjalë për fjalë shkatërroi gjithçka që kishte arritur bashkësia ndërkombëtare në Kosovë për dy dekada.
"Ai e fshiu udhëheqjen e SHBA-së dhe BE-së nga çdo marrëveshje, zëvendësoi strukturën ekzistuese policore në veri të Kosovës me policinë e tij speciale shqiptare mono-etnike dhe sulmoi serbët në veri të Kosovës. Si rezultat, për fat të keq kemi parë destabilizim dhe hapësirë për ndikime të rrezikshme që duan të përfitojnë prej saj”, tha Gjuriq.
Gjuriq shtoi se veprimet e njëanshme të Kurtit përkojnë me fillimin e konfliktit në Ukrainë.
“Fatkeqësisht, në 20 muajt e fundit kur situata në Evropën Lindore u përshkallëzua, qeveria e Kurtit filloi të marrë masa të njëanshme. Kjo u dënua edhe nga SHBA-të edhe nga BE-ja, por nuk ndërmorën veprime konkrete për ta parandaluar. Gati sikur në pasqyrë patëm rastin të shohim se ajo që ndodhi me shqiptarët në fillim të viteve nëntëdhjetë në Kosovë, tani po e ndërmerr lideri i Kosovës ndaj serbëve”, tha Gjuriq.
0 komentet