Petronijeviq: Informacionet tregojnë se serbët u qëlluan pasi u dorëzuan, Radoiçiq nuk është plagosur

Avokati Goran Petronijeviq, si përfaqësues i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka deklaruar sot se nuk mund të japë asnjë gjykim nëse videoja e Radoiçiqit, në të cilën ai dyshohet se është me mjete të plota ushtarake në manastirin e Banjskës, është autentike.
Petronijeviq, i cili në konferencën për shtyp lexoi letrën e Radoiçiqit drejtuar publikut, ka shtuar se nuk është e vërtetë se ka qenë në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA), sepse nuk është lënduar.
“Për gjendjen shëndetësore të Radoiçiqit, informacionet që kanë dalë në media nuk kanë qenë të sakta. Ai nuk është lënduar, nuk është plagosur dhe nuk ka qenë në VMA”, ka thënë Petronijeviq.
Në pyetjen se a është shfaqur video nga autoritetet e Prishtinës, ai tha se as nuk e kishte parë videon.
“Nuk mund të gjykoj, nuk e kam parë videon”, ka thënë Petronijeviq.
Petronijeviq ka mohuar informacionet se Radoiçiq ka qenë në VMA, pasi siç ka thënë ai nuk është lënduar. Ai shtoi se mendon se nuk ka arsye për të mbrojtur Radoiçiqin.
“Ne duhet të mbrojmë popullin serb në Kosovë, ka shumë njerëz si Millan Radoiçiq atje poshtë”, tha Petronijeviq.
Ai ka theksuar se beson se nuk ka nevojë që organet kompetente t'i bëjnë pyetje Radoiçiqit, por nëse e thërrasin do t'i përgjigjet ftesës.
Në pyetjen se nga kanë ardhur armët dhe pajisjet për aksionin në Banjskë, avokati tregon se nuk mund të flasë për detajet për të cilat do të flasë vetë Radojiçiq nëse vjen të përgjigjet para organeve kompetente të Serbisë.
"Personalisht, si përfaqësues i tij, besoj se nuk ka nevojë që asnjë organ shtetëror t'i bëjë pyetje. Kosova e Metohia është pjesë e Serbisë. Në veri ka njësi speciale të të ashtuquajturës policia e Kosovës, të cilët qëndrojnë atje ilegalisht, dhe në përputhje me rezolutën 1244. Dhe nëse dikush ndodhet atje në mënyrë të paligjshme, janë ata si dhe disa formacione paraushtarake. Mendoj se nuk ka asnjë përgjegjësi nga ana e Radoiçiqit, nëse autoritetet e Serbisë do ta konsiderojnë këtë, mbetet për t'u parë. Ata kanë ardhur në vendin dhe shtëpinë e tyre”, tha Petronijeviq dhe vlerësoi se klienti i tij dhe serbët e tjerë nuk kanë asnjë përgjegjësi.
I pyetur për të komentuar detajet e konfliktit në Banjskë, Petronijeviq theksoi se ai nuk ishte aty dhe nuk mund të fliste për këtë, por se kishte informacione se një polic i Kosovës është vrarë nga një shpërthim.
“Polic kosovar është vrarë nga një shpërthim, i cili nuk ishte i destinuar për të dhe as për dikë tjetër”, tha ai.
Ai theksoi se nuk është përkrahës që dikush të marrë “drejtësinë në duart e veta”, por se ky ishte një veprim dëshpërues i popullit serb, të cilin pjesëtarët e KFOR-it të ngarkuar me sigurinë nuk e mbrojtën.
Ai thotë se për momentin nuk po e mbron Radoiçiqin, sepse askush nuk e ka paditur dhe nuk ka filluar ende asnjë procedurë. E vetmja procedurë, nënvizon ai, e kontestuar është çështja e autopsisë së viktimave serbe në Banjskë.
“Nuk ka pasur mirëkuptim, nuk kanë lejuar EULEX-in që ekspertët e tyre të marrin pjesë në autopsinë e viktimave. Dy nga tre nuk kanë vdekur në mënyrë të rregullt, njëri është qëlluar, tjetri është vrarë, është plagosur dhe më pas është qëlluar në kokë. Kjo mund të përcaktohet me analiza, por Prishtina nuk i lejon patologët nga Serbia apo Eulex-i të marrin pjesë në autopsi. Është dyshim serioz se aty fshihet diçka serioze. Dyshimi im mund të shkojë në atë drejtim. Mungesa e së vërtetës çon në konflikt, prandaj ju media i përmbaheni fakteve të vërtetuara”, tha Petronijeviq.
0 komentet