Gjuriq me kryesuesen e KS të OKB-së për pozitën e serbëve në Kosovë dhe rëndësinë e UNMIK-ut

1
Burim: Ministarstvo spoljnih poslova Srbije

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, bisedoi me kryesuesen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuesen e përhershme të Greqisë në OKB, Aglaja Balta, të cilës i vuri në dukje përkeqësimin e pozitës së serbëve në Kosovë dhe nevojën për zbatimin e vazhdueshëm të detyrimeve që rrjedhin nga dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Gjuriq theksoi se shqyrtimi i rregullt i çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është i një rëndësie thelbësore për vlerësimin objektiv dhe gjithëpërfshirës të situatës politike dhe të sigurisë në terren, si dhe për ruajtjen e vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare ndaj sfidave të shumta me të cilat përballet popullsia serbe, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.

Ai paralajmëroi për përkeqësimin e vazhdueshëm të pozitës së serbëve në Kosovë, duke e ilustruar këtë me veprimet e njëanshme të Prishtinës, mbylljen e institucioneve serbe dhe rrezikimin e qasjes në shërbimet themelore publike, gjë që e thellon edhe më tej atmosferën e pasigurisë dhe mosbesimit.

Gjuriq tërhoqi veçanërisht vëmendjen ndaj presioneve me të cilat përballen serbët në veri të Kosovës, si dhe ndaj nevojës për të garantuar sigurinë e tyre personale dhe të pronës, lirinë e lëvizjes dhe ushtrimin e papenguar të të drejtave themelore të njeriut.

“Është i domosdoshëm zbatimi i vazhdueshëm i të gjitha detyrimeve të marra përsipër në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si një mekanizëm të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe individuale të popullit serb”, tha Gjuriq.

Në këtë kontekst, ai vuri në dukje rëndësinë e pazëvendësueshme të pranisë së UNMIK-ut, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjuriq theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, duke pritur që aktorët ndërkombëtarë t'i kushtojnë vëmendjen e duhur mbrojtjes së të drejtave dhe sigurisë së popullsisë serbe në Kosovë e Metohi.