Gjuriq: Në mbledhjen e KS të OKB-së u pa një konsensus i qartë se mjaft më me represion dhe shtypje ndaj serbëve në Kosovë
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, theksoi se pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është një hap më afër arritjes së konsensusit në bashkësinë ndërkombëtare se mjaft më me represionin, shtypjen dhe shkeljen e popullit serb, të krishterëve dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
„Kjo nuk ishte asgjë tjetër përveç një seance jorutine të KS të OKB-së. Sa herë që flitet për Kosovën dhe Metohinë, nuk mund të ketë mbledhje rutine për shkak të natyrës së çështjes. Në rastin e Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së. Bëmë gjithçka që mundëm që këtu të dëgjohej klithma e popullit serb në Kosovë e Metohi, të cilit i janë shkelur të drejtat, dhe që mund të krahasohet vetëm me atë që ndodhte në kohën e aparteidit në Afrikën e Jugut“, shpjegoi ai në një deklaratë për gazetarët.
Gjuriq më parë në seancë theksoi se të drejtat themelore të serbëve në Kosovë jo vetëm që po injorohen, por po shkatërrohen në mënyrë sistematike, pjesë pas pjese.
Ai u bëri thirrje anëtareve të Këshillit të Sigurimit të mbështesin punën e UNMIK-ut, në mënyrë që të mbrohen të drejtat themelore të serbëve, por edhe të mbrohet e drejta ndërkombëtare si themel i sigurisë.
Gjuriq tha se kujtoi faktin se në Evropë ekziston një popull të cilit i shkelen të drejtat dhe dërgoi mesazhin se Serbia qëndron në anën e së drejtës ndërkombëtare, se është kundër luftës dhe konflikteve si mënyrë për zgjidhjen e problemeve.
Ai tha se tregoi se çfarë po ndodh në terren, për 128 institucione serbe të mbyllura, qendra sportive, institucione shëndetësore, shërbime themelore që krijojnë kushte për jetën e popullit tonë, kisha dhe manastire që janë po ashtu nën presione dhe terror.
„Ajo që është me rëndësi, është se sot në KS, për herë të parë, nga shtetet që e njohin dhe ato që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e që janë shumica në OKB, u dëgjua një mesazh i qartë dënimi për represionin, mosrespektimin e marrëveshjeve dhe dhunën ndaj serbëve në Kosovë. Nga ana tjetër, mund të dëgjonim edhe një shfaqje disi operetash dhe të trishtë nga përfaqësuesit e Prishtinës, që donin ta paraqesin në ngjyrë rozë, sikur aty lulëzon respektimi i të drejtave të njeriut, dhe se problemi janë vetë serbët që i përndjekin vetveten. Mund të dëgjonim akuza ndaj Serbisë për gjenocid, akuza se presidenti bën thirrje për luftë, sikur të mos kishte kaluar vite duke u përpjekur për bashkëpunim rajonal, duke iniciuar nismën ‘Ballkani i Hapur’ për të treguar se shqiptarët nuk janë, dhe nuk duhet të jenë, armiq të serbëve. Ne nuk kemi problem me popullin shqiptar, por me tiranë si Kurti, që dëshiron t’i vendosë serbët në një pozitë të nënshtruar për të forcuar agjendën e tij etnonacionaliste, për të cilën i akuzon të tjerët“, shpjegoi Gjuriq.
Ai theksoi se nuk ishte e lehtë dhe e thjeshtë të dëgjoheshin ato që u thanë, kur dihet se si jetojnë serbët në Kosovë.
„Detyrimi ynë është të paraqesim të vërtetën këtu. Ne e paraqitëm atë, duke cituar jo vetëm qëndrimet tona, por edhe raportin e UNMIK-ut, i cili flet shumë qartë për atë që po kalojnë serbët. Pas mbledhjes së sotme, jemi një hap më afër konsensusit në bashkësinë ndërkombëtare, për shkak të të cilit edhe BE vendosi masa kufizuese ndaj regjimit të Kurtit, dhe administrata e Trump-it pezulloi dialogun strategjik – se mjaft më me represionin, shtypjen dhe shkeljen e popullit serb, të krishterëve dhe Kishës Serbe në Kosovë“, tha shefi i diplomacisë serbe.
Prandaj, shtoi ai, foli edhe për heqjen simbolike të mbishkrimit në cirilik “Kosovska Mitrovica” me zemrën e kuqe dhe zëvendësimin e tij me emërtimin në shqip me zemrën e gjelbër, si një paradigmë të dëshirës së Kurtit për të thelluar më tej ndarjet midis serbëve dhe shqiptarëve.
„Ne bëjmë të kundërtën. Ne jemi një vend që mund të thotë se po zhvillohet ekonomikisht dhe ndjek një politikë ndryshe, gjë që sot u njoh më shumë se më parë. Mesazhi që dëgjuam është shumë i rëndësishëm, është thirrja dhe paralajmërimi i fundit për Kurtin dhe për të gjithë të tjerët që të ndalojnë së bëri atë që kanë bërë deri tani“, theksoi Gjuriq.
Në lidhje me konstatimin se SHBA po mbështesin mbylljen e misionit të UNMIK-ut, Gjuriq tha se kjo nuk është diçka që dëgjohet për herë të parë sot, se Serbia nuk është dakord në këtë drejtim, por se megjithatë është mirënjohëse ndaj Amerikës që pezulloi dialogun strategjik me Kosovën.
„Është fakt i njohur se SHBA mbron tezën e Kombeve të Bashkuara më efikase dhe të misioneve të tyre, dhe ky pozicion nuk është i ri, as sot nuk është shprehur për herë të parë. Do të bisedojmë këtu me zyrtarë të lartë amerikanë, të cilëve u jemi mirënjohës sepse muajin e kaluar pezulluan dialogun strategjik me Kosovën, duke i dërguar Kurtit një sinjal të qartë se janë të vetëdijshëm për atë që ai po u bën serbëve, madje edhe më shumë, se nuk pajtohen që serbët apo kushdo tjetër në Kosovë të trajtohen në atë mënyrë. Edhe pse nuk ndajmë të njëjtin qëndrim me ta për rolin e UNMIK-ut, e vlerësojmë faktin që ata muajin e kaluar ndërmorën hapa konkretë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë në Kosovë e Metohi“, tha Gjuriq.
I pyetur nëse ky raport i UNMIK-ut është më objektiv se ai i prillit, dhe për faktin që zëvendësshefi i UNMIK-ut nuk përmendi formimin e BKS-së, ministri u përgjigj se ai kudo lufton dhe nuk lejon të heshtet për asgjë që dëmton popullin serb.
„Nuk lejojmë që të heshtet asnjë nga shkeljet e të drejtave themelore të njerëzve tanë. Është mirë që në raportin e UNMIK-ut është përfshirë kaq shumë material që tregon se përfaqësuesit tanë diplomatikë, njerëzit në terren dhe institucionet tona çdo ditë me dokumente dhe argumente kanë arritur të ndërtojnë një rast që është përfshirë në raportin e UNMIK-ut. Po të mos ishte kështu, nuk do të kishit dëgjuar që pothuajse 15 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit sot të flasin për veprimet e njëanshme të Prishtinës“, theksoi Gjuriq.
Ai shtoi gjithashtu se në Nju Jork do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesin rus në OKB, Vasily Nebenzya, si dhe me zyrtarë të lartë amerikanë.
„Ne vazhdojmë të lobojmë për Serbinë“, shtoi ministri Gjuriq.
0 komentet