Gogiq: Kurti dëshiron presidentin para aktgjykimit në Hagë, Sejdiu në letër i përshtatet profilit të kërkuar
Politologu Ognjen Gogiq vlerësoi se Bekim Sejdiu është një zgjidhje kompromisi për kandidatin për president të Kosovës, por se shkaku i krizës institucionale në Kosovë, e cila zgjat prej një viti e gjysmë, nuk ka qenë asnjëherë çështja e një zgjidhjeje personale, por mungesa e vullnetit të partive për t’u marrë vesh për shkak të arsyeve dhe kalkulimeve të tyre.
Gogiq tha për Kosovo online se Bekim Sejdiu, për të cilin dje Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u pajtuan që të jetë kandidat i përbashkët për president, është një zgjidhje kompromisi dhe se ai përfaqëson një profil të përshtatshëm për t’iu paraqitur publikut dhe votuesve si kandidat konsensual.
Sipas vlerësimit të tij, marrëveshja u arrit pasi kryeministri i Kosovës në detyrë teknike dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, vlerësoi se i nevojitet që formimi i institucioneve të reja të përfundojë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, pasi, siç vlerëson ai, ai mund të ndikojë në disponimin e votuesve në favor të partive opozitare që kanë dalë nga UÇK.
„Bëhet fjalë për faktin se më 16 shtator pritet shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe kjo është një datë që mund të ndryshojë shumëçka në Kosovë. Pra, ai aktgjykim, cilido qoftë, do të ketë pasoja të mëdha në Kosovë, në marrëdhëniet serbo-shqiptare, por do të ketë pasoja të mëdha edhe për situatën politike në Kosovë. Mund të ndikojë ndjeshëm në disponimin e votuesve, para së gjithash në favor të partive që kanë dalë nga UÇK, e ato janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca. Dhe nuk është aspak e çuditshme që pikërisht këto dy parti janë jashtë konsensusit dhe po përpiqen që deri diku t’i radikalizojnë rrethanat politike në Kosovë, përmes protestave dhe manifestimeve të ndryshme“, tha Gogiq.
Sipas tij, Kurti ka vlerësuar se nuk i leverdis ta zgjasë krizën dhe të presë shpalljen e aktgjykimit, por se për të është më mirë që para kësaj ta përfundojë formimin e institucioneve dhe të zgjidhet presidenti i Kosovës.
Gogiq vlerësoi se Bekim Sejdiu, në letër, i përshtatet profilit të presidentit që kërkohej, se është një personalitet jashtë politikës dhe që ka autoritet dhe integritet, por se për Kurtin nuk është kandidat ideal dhe paraqet një lloj rreziku, pasi autoritetin e tij e bazon në arritjet profesionale dhe nuk varet nga politika, ndaj, siç thotë Gogiq, potencialisht mund t’i kundërvihet Kurtit në situata të caktuara.
„Nëse, për shembull, qeveria e Kurtit bën disa gjëra që janë të kundërligjshme, ai mund ta shfrytëzojë të drejtën e vetos pezulluese, t’i kthejë disa ligje në parlament ose t’i drejtohet vetë Gjykatës Kushtetuese. Edhe vetë ka qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, kështu që nuk është kandidat ideal për Kurtin“, tha Gogiq.
Kur bëhet fjalë për LDK-në dhe Abdixhikun, Gogiq thotë se është shumë e mundshme që ata të kenë arritur një marrëveshje për atë se çfarë do të marrë LDK në këmbim të kandidaturës së Sejdiut.
Gogiq theksoi se tani vjen testi i radhës për LDK-në, e ai është nëse Abdixhiku është në gjendje të sigurojë pëlqimin e të gjithë deputetëve të LDK-së.
„Çështja është gjithashtu nëse edhe deputetët e tjerë do ta shohin interesin e tyre në këtë, pasi ka pakënaqësi brenda Grupit Parlamentar. Në përgjithësi, tashmë janë dëgjuar zëra se Kryesia e LDK-së dhe organet partiake ende nuk e kanë mbështetur propozimin“, tha Gogiq.
Sipas tij, marrëveshja për Sejdiun është rezultat i kompromisit të LDK-së, e cila, shton Gogiq, udhëhiqet nga kalkulimet partiake.
„LDK nuk ka fuqi për një garë të re zgjedhore. Ata janë në rënie të vazhdueshme dhe, përveç kësaj, Abdixhiku e ka gjithnjë e më të vështirë ta kanalizojë dhe kontrollojë pakënaqësinë brenda partisë dhe është pikëpyetje nëse do të mund t’u mbijetonte zgjedhjeve të reja në krye të partisë. Osmani është pajtuar me faktin se nuk ka gjasa të rizgjidhet presidente e Kosovës, ndërsa Kurti ka kalkulime të tjera, pra ai nuk dëshiron të presë që Hashim Thaçi ose Kadri Veseli të kthehen në Kosovë“, tha Gogiq.
0 komentet