Gogiq: Një sërë premtimesh të BE-së dhe SHBA-së mbetën të papërmbushura, kjo tregon pafuqinë e tyre si ndërmjetësues

Ognjen Gogić
Burim: Kosovo Online

Politologu Ognjen Gogiq thotë për Kosovo online se premtimet e BE-së dhe SHBA-së, si garantues të dialogut, se nuk do të ketë arrestime të serbëve që morën pjesë në barrikadat e vitit 2022, përfaqësojnë vetëm njërën nga shumë gjëra që janë premtuar në dialog, por nuk janë realizuar. Ai konsideron se ato premtime dhe garanci sot ndoshta nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, dhe as që vlejnë më, sepse është lënë pas dore përfshirja e tyre në rendin juridik të Kosovës.

„Premtime boshe. Kur jepen garanci të tilla, ato duhet sa më shpejt të përkthehen në norma juridike. Edhe më herët në këto hapësira, kur ka pasur konflikte të armatosura, për shembull, janë dhënë garanci në formë të amnistisë së përgjithshme për pjesëmarrje në kryengritje të armatosura, por pastaj, për shembull, personat janë ndjekur penalisht për shkelje të të drejtave të njeriut, për disa krime të rënda apo kundërvajtje që kanë kryer. Mund të ishte dhënë një amnisti e përgjithshme nga ndjekja penale për pjesëmarrje në barrikada dhe institucionet kompetente në Kosovë të miratonin një akt juridik me të cilin do të jepnin atë garanci. Çdo gjë përtej kësaj, siç është treguar, është një premtim i zbrazët“, thekson Gogiq.

Në të njëjtën kohë, ai thotë se është e diskutueshme në çfarë forme janë dhënë garancitë, sepse nëse do të ishin dhënë me shkrim, me shumë gjasë do të ekzistonte një dokument dhe komuniteti ndërkombëtar do të kishte arritur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës që ato të përfshiheshin në rendin juridik të Kosovës.

„Kështu siç është, nuk ka askënd në komunitetin ndërkombëtar që tani do të thotë se është kundër faktit që organet gjyqësore po nisin disa procedura, sepse kjo do të nënkuptonte ndërhyrje në punën e gjyqësorit. Nuk mund të pritet prej tyre që tani të kërkojnë ndalimin e proceseve tashmë të nisura. Këto garanci është dashur të përdoren më herët, në mënyrë që Kosova në kohë të miratonte ndonjë akt me të cilin kjo çështje do të mbyllej“, thotë Gogiq.

Ai thekson se ekziston një numër shumë i madh premtimesh të papërmbushura nga BE dhe SHBA si garantues të dialogut, për të trajtuar këto garanci të veçuara nga gjithçka tjetër.

„E gjithë kjo së bashku tregon pafuqinë e tyre si ndërmjetësues. Ata kanë vepruar këtu si ndërmjetësues që mund të sigurojnë përmbushjen e obligimeve të marra, por kjo nuk ka ndodhur“, thekson bashkëbiseduesi ynë.

Përveç premtimeve të papërmbushura për pjesëmarrësit e protestave në barrikada, edhe zhvillime të tjera në Kosovë, sipas tij, tregojnë për shkelje serioze të të drejtave të njeriu

"Institucionet e Kosovës, mbi të gjitha policia, po e prishin seriozisht rendin ligjor të Kosovës, sigurinë ligjore dhe po shkelin të drejtat e njeriut. Tani është një çështje shumë më serioze që duhet të ndërkombëtarizohet. Serbia duhet ta hapë këtë çështje përmes kanaleve diplomatike, qoftë në mënyrë bilaterale me shtete individuale, qoftë përmes organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut. Këtu ushtrohet dhunë ligjore institucionale sepse ligjet interpretohen në mënyrë arbitrare dhe pushtetet abuzohen për të shkelur të drejtat e njeriut. Është një çështje aq serioze saqë shkon përtej çështjes së këtyre garancive", thotë Gogiq.