Hill: Bashkësia e Komunave Sërbe element kyç i cili duhet të realizohet
Ambasadori i SHBA në Sërbi Kristofer Hill ka thënë mbrëmjen e sotme se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë muaj më parë, që Bashkësia e Komunave Sërbe është element kyç i cili duhet të realizohet.
Hill në intervistën për Kurir TV i’u përgjigj pyetjes se çfarë është e nevojshme që të bëhet përparim më i madh në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit, ai tha se palët janë thellësisht të rrënjosura në qëndrimet e tyre, por procesi i Brukselit është i mirë ndonëse shumë janë të pakënaqur që po zgjat kaq shumë.
"Unë një herë e në një kohë u largova nga Ballkani dhe isha mes të tjerash, në Poloni dhe Korenë e Jugut. Nuk e prisja se do të kthehesha në Ballkan dhe që çështja e Kosovës ende do të ishte aktuale" ka thënë ambasadori amerikan.
Ky i fundit theksoi se në diplomaci më e rëndësishmja është të egzistojë mekanizmi për zgjidhjen e të tilla çështjeve dhe që Mirosllav Llajçak është “njeriu i duhur në momentin e duhur për këtë".
"Pastaj nevojitet të kalohet përmes të gjitha çështjeve dhe të shikohet se çfarë mund të bëhet. Mendoj se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë prej muajsh, që Bashkësia e Komunave Sërbe është element kyç i cili duhet të realizohet", ka qartësuar Hill.
Ky i fundit konstatoi dhe se Kosova është e pakënaqur për bllokimin e qasjes në disa organizata ndërkombëtare.
“E ne me këtë duhet të merremi. Llajçak këtë e bëri. Është e lehtë të shikosh anash sesi dikush tenton të bëjë diçka dhe t’i jepni këshilla, tani është momenti për të mbështetur atë që po arrihet përmes dialogut që është nën kujdesin e BE”, tha Hill.
Pyetjes se çfarë pret nga Qeveria e re e Sërbisë, u përgjigj se fillimisht duhet të formohet qeveria.
"Po presim me padurim, se na presin punë të mëdha me Sërbinë. Kemi shumë qëllime të përbashkëta, dëshirojmë të përmirësojmë marrëdhëniet ekonomike dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Nëse shikojmë situatën ekonomike sot, nuk bëhet fjalë vetëm për marrëdhëniet mes vende të veçanta, por për rajonet dhe për lidhje më të gjerë”, tha ambasadori i SHBA.
Ai shtoi se ajo që shtyn interesat amerikane në marrëdhëniet me Sërbinë, është perspektiva që mbarë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë më i qetë dhe më i lidhur në të cilin egzistojnë modele bashkëpunimi.
"Nëse kthehemi tek e kaluara, fill pas rënies së Murit të Berlinit, vende si Polonia, Hungaria dhe ish-Çekosllovakia tentuan të vendosnin bashkëpunim. Në fillim secila shtyu planin e vet për të hyrë të parët në Bashkimin Europian. Në fund u takuan në Vishegrad, në Hungari dhe u dakordësuan të kordinonin hyrjen e tyre në BE. U dakordësuan që të shmangnin situatën që të mos shikoheshin si vende që vazhdimisht kanë mosmarrëveshje dhe thashetheme për njëri-tjetrin dhe vetëm për këtë nuk dëshironin të hynin në BE. Besoj se pjesë e zgjidhjes për këtë është në këtë rajon 'Ballkani i Hapur'", tha Hill.
Ky i fundit tha se vendet duhet të kuptojnë se nuk mund të largohen nga ky rajon dhe se duhet të bashkëpunojnë. Nga pika e vështrimit të BE, nevojiten vende që bashkëjetojnë paqësisht dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, shtoi Hill.
Pyetjes se cili është interesi kryesor i Amerikës për të investuar në Sërbi, ai u përgjigj se qeveria e SHBA është jashtëzakonisht e interesuar të ndihmojë kompanitë amerikane që dëshirojnë të investojnë në Sërbi dhe se egziston interes i madh i kompanive amerikane për sektorin sërb të IT dhe sektorin e teknologjisë së lartë.
"Është i madh numri i kompanive serioze që janë të interesuara për Sërbinë. Përse? Nga një anë ata bëjnë llogaritë-tek kjo se në një moment Sërbia do të hyjë në BE. Nuk mund t’a parashikoj datën e saktë apo rrethanat, por kompanitë amerikane besojnë se do të shkohet deri tek kjo” thotë Hill.
Ky i fundit thekson se “rruga e përbashkët” nënkupton ende gjëra të tjera përveç ekonomisë dhe se duhet pasur parasysh edhe elementi i sigurisë dhe mbrojtjes.
“Mendoj se është e rëndësishme që SHBA, Sërbia dhe vende të tjera të bashkëpunojnë. SHBA janë shumë aktive në Europë përmes aleancës së NATO” ka shtuar ambasadori.
Ky i fundit kujton se nuk është çdo vend i Europës anëtar i NATO në atë që me këto vende ralizohen marrëdhëniet.
"Ne këtë e bëjmë me Sërbinë, ka numër të madh të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake. Sërbisë i takon të vendosë për këtë, nuk do të përmend tani disa momente të vështira historike mes dy vendeve tona. Në fund të fundit do të jetë vendim i ndërsjelltë. Ne nuk do t'i themi Sërbisë se çfarë të bëjë, as dhe Sërbia të n’a thotë se çfarë duhet të bëjmë. Megjithatë, nëse mund të dakordësohemi rreth interesave të përbashkëta, egziston hapësirë për bashkëpunim shumë më të madh”, tha Hill.
I pyetur nëse SHBA dhe vendet europiane janë lodhur duke investuar dhe ndihmuar Ukrainën, u përgjigj se egziston interes i madh në atë që do të ndodhë pas luftës, duke kujtuar se BE ka marrë disa vendime të guximshme në lidhje me Ukrainën, si vend që aspiron të hyjë në BE, çka pati efekte dhe në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimi është se në dritën e situatës në Ukrainë, nevojitet të mendohet se çfarë do të ndodhë me vendet e këtushme, sepse ato janë pjesë e Europës.
Ai konstaton se procesi i rindërtimit të Ukrainës do të jetë i gjerë.
"Mendoj se një vend siç është Sërbia mund të marrë pjesë në rindërtimin e ardhshëm të Ukrainës. Prandaj u gëzova që Oda Ekonomike e Sërbisë ftoi kolegët nga Ukraina dhe se u nënshkrua memorandum i mirëkuptimit rreth çështjes së bashkëpunimit eventual. Do të ketë shumë nga këto dhe Ukraina e Sërbia kanë shumë të përbashkëta në këtë gjë. Më vjen mirë që vitin e kaluar presidenti i Sërbisë dhe presidenti i Ukrainës u takuan tre herë. Ukraina mund të rezultojë të jetë shumë e rëndësishme për Sërbinë dhe ekonominë e saj” tha ambasadori Hill.
0 komentet