Hill: Dialogu në situatë të vështirë, më vjen mirë që pala sërbe është e gatshme për bisedime

Beograd_240229_Kristofer Hil
Burim: Kosovo Online

Ambasadori amerikan në Beograd Kristofer Hill ka thënë se dialogu mes Sërbisë dhe Kosovës duket që është në situatë të vështirë por që normalizimi gjithëpërfshirës është parakusht për të gjithë dhe se nevojitet të arrihet përparim në këtë proces.

"Momentalisht jemi pak të dekurajuar. Me të vërtetë mbështesim dhe vazhdojmë të mbështesim dialogun e Brukselit. Besojmë se kjo është rruga e duhur në fakt e vetmja rrugë e duhur. Mendoj se duhet të investohen përpjekje reale për të arritur ndonjë përparim pasi kaluan shumë muaj ku nuk kemi parë shumë zhvillime. Kështu që mendoj se kemi disa probleme me këtë momentalisht. Më vjen mirë që shikoj se pala sërbe erdhi e përgatitur për bisedime. Kjo është e rëndësishme“ ka thënë Hill në një intervistë për Blic.

Pyetjes nëse pret që situata në të ardhmen e afërt të ndryshojë, thotë se nuk mund të parashikojë të ardhmen, sepse këtu mezi kupton edhe të kaluarën, por beson se ajo që është në tryezë ka kuptim.

"Ka kuptim të kemi Bashkësi të Komunave Sërbe. Ka kuptim të pakësohen tensionet. Me të vërtetë ka kuptim që të përpiqemi që Prishtina dhe Beogradi të kenë marrëdhënie më të mira sesa ç’kanë patur deri më tani. Pra, ky është qëllimi i duhur, por padyshim dialogu momentalisht është në situatë të vështirë”, konstatoi Hill.

I pyetur nëse atëherë mund të flitet për ndonjë lloj dialogu konstruktiv pa formimin e BKS, përsëriti se nuk do të dëshironte të përzihej në punën e Mirosllav Llajçakut, do të donte të shikonte përpjekje.

“Di që disa biseda të tilla egzistojnë përmes fondacioneve apo institucioneve të ndryshme, por mendoj se duhet të ketë më shumë se kaq-për të kuptuar logjikën se përse dialogu me të vërtetë duhet të avancojë”, shtoi ambasadori amerikan.

I pyetur nëse politikën e Perëndimit ndaj çështjes së Kosovës e shikon si të suksesshme duke pasur parasysh situatën me dinarin, ndalimin e importit të mallrave sërbe, disa raunde të pasuksesshme të dialogut në Bruksel, konstaton se ky ka qenë vit i vështirë për dialog dhe kur dialogu nuk funksionon, përdoren metoda të tjera, të cilat janë përherë më të rënda.

"Pra, nuk ka dyshim se egzistojnë shumë shqetësime për këtë, por sërish derisa dikush nuk ofron ide të mirë ndërsa unë nuk kam dëgjuar ide më të mirë për dialog, mendoj se duhet të mbështetet edhe më fuqishëm. Shpresoj se kjo do të jetë ajo çka do të shikojmë në javët dhe muajt e ardhshëm“ tha Hill.

Teksa kujtohet se së fundmi ka thënë se beson se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Sërbisë në BE por normalizimi i marrëdhënieve, thotë se ai vetëm përsërit synimet e Bashkimit Europian për dialog dhe ata janë të qartë-kërkojnë normalizim gjithëpërfshirës, normalizim që është ligjërisht i detyrueshëm.

"Me fjalë të tjera, nuk mund të kesh normalizim të martën dhe të mos funksionojë të mërkurën. Pra normalizim gjithëpërfshirës, ​​ligjërisht i detyrueshëm. Kjo është detyrë e madhe. Me të vërtetë është vështirë të arrihet siç sugjerojnë zhvillimet e muajve të fundit. Përsa i përket të ardhmes, të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Mendoj se normalizimi gjithëpërfshirës është parakusht absolut për çdo gjë tjetër. Shpresoj se mund t‘a shikojmë këtë të realizohet" tha Hill.

Duke komentuar zhvillimet rreth festivalit “Mirdita, dobar dan”, tha se nuk e kupton se përse manifestimi artistik i financuar nga BE, është konsideruar problem sigurie, duke shtuar se ai festival ka qenë shumë i suksesshëm gjatë dhjetë viteve të mëparshme.

"Ai është shembull shumë i mirë për Sërbinë, sepse flet rreth asaj sesi të bashkëpunohet me të tjerët në rajon. Pra, për mua është zhgënjyese dhe surprizuese. Thjesht nuk e kuptoj se përse do të humbet kjo mundësi. Di që egzistojnë shumë tensione. Di që kushtet politike janë të vështira momentalisht, por kur flasim për të rinjtë që marrin pjesë në manifestim artistik, shpresoj që eventi të mbahet”, tha ambasadori i SHBA.

Në konstatimin se Sërbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por që nuk dëgjohen më insistimet e zëshme nga SHBA dhe BE në këtë fushë dhe pyetur se çfarë ka ndryshuar, ai u përgjigj se nuk është i sigurt se diçka ka ndryshuar.

"Mendoj se BE është një nga eksperimentet më të jashtëzakonshme në kontinentin europian në shekujt e fundit. Mendoj se po tentojnë të harmonizojnë anëtarët në këndvështrimin e politikës së jashtme dhe detyrimeve të sigurisë. Ndaj, është tërësisht e kuptueshme përse kjo çështje është shumë e rëndësishme për Bashkimin Europian. Mendoj se ne tentojmë të përqendrohemi më shumë se ku është Sërbia në disa nga këto çështje kyçe ndërkombëtare. Sërbia ka qenë mjaft e dobishme në lidhje me Ukrainën. Sërbia ka qenë mjaft e dobishme në lidhje me KB. Kanë ndihmuar dhe në fusha të tjera veçanërisht në fushën e ndihmës humanitare. Kjo është mjaft e rëndësishme për ne dhe shpresoj që të gjendet mënyrë për të përparuar drejt BE pasi mendoj se një nga synimet kryesore amerikane këtu në Sërbi është-të konfirmohet se Sërbia të kuptojë interesat e saja në arritjen e anëtarësimit në BE. Dëshirojmë që ai proces të shkojë përpara. Duket se këtë e dëshirojnë dhe qytetarët sërbë dhe ne dëshirojmë atë çka ata dëshirojnë”, tha Hill.

Kur është fjala rreth marrëdhënieve mes Beogradit dhe Uashingtonit, thotë se është i kënaqur që është bërë përparim, por nga ana tjetër mund të bëhet më shumë.

"Përparim nuk do të thotë që duhet të pajtoheni për gjithçka, por përparim do të thotë që duhet të keni respekt për qëndrimet e të tjerëve. Kështu që mendoj se mund të bëhet më shumë, megjithëse jam shumë i kënaqur që shpesh shikoj këtu Gardën Kombëtare të Ohajos. Isha shumë i kënaqur që së fundi pashë komandantin e Forcave Ajrore të SHBA në Europë, në fakt komandantin e Forcave Ajrore të NATO në Europë, gjeneralin Haker, gjeneral me katër yje i cili së fundi ishte këtu. Kështu që mendoj se mjaft bashkëpunojmë”, tha Hill.

Ky i fundit shtoi se nuk është këtu t’i thotë Sërbisë se çfarë duhet të bëjë.

"Nuk jemi këtu t’u themi që të bëjnë gjëra që nuk dëshirojnë t’i bëjnë. Sërbia duhet të shkojë në konkluzionin si është që të mund të ketë raporte sa më produktive dhe të suksesshme me SHBA. Dhe një gjë do të doja të shtoja dhe kjo është në ekonomi. SHBA janë parnerët më të mëdhenj tregtar me Sërbinë dhe kjo është domethënëse. Kompanitë tona janë shumë të kënaqura, këtu kemi Odë të mirë ekonomike amerikane", shtoi ambasadori.

Kur është fjala rreth marrëdhënieve mes shteteve në Ballkanin Perëndimor, thotë se ato marrëdhënie janë një gjë që do të dëshironte t’i shikonte të investohej më shumë përpjekje si dhe më shumë bashkëpunim rajonal në procesin e integrimit europian, sikurse grupi i Vishegradit.

"Mendoj se Ballkani i Hapur ishte shembull mjaft pozitiv, por është e qartë se duhet të bëhet më shumë se kaq. Duhet të jeni të sinqertë, në Ballkan egziston shumë mosbesim, por mendoj se duhet më shumë bashkëpunim rajonal ashtu sikurse dhe situata në të cilën presidenti i një vendi mund të thërrasë presidentin e vendit fqinj dhe të kenë bisedë të mirë. Kjo nuk mund të vijë vetëm nga SHBA apo BE, duhet të egzistojë ndërgjegje tek vetë shtetet, ato duhet të bisedojnë mes tyre, jo përmes ndërmjetësit apo procesit të përafërt” ka thënë Hill.