Hill: Më pëlqen “Ballkani i Hapur”, i lejon njerëzit të njihen më mirë me njëri-tjetrin
Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill, në një intervistë për “Nedeljnik” ka folur edhe për atë se si i pëlqen iniciativa “Ballkani i Hapur”, sepse u mundëson njerëzve të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe shtoi se beson se kurrë në histori nuk ka pasur kaq shumë ndërveprime pozitive mes shqiptarëve nga Shqipëria dhe serbëve nga Serbia.
Siç tha ai, është një proces në të cilin bizneset mund të kapin një treg më të gjerë, por edhe me të cilin zgjidhet klaustrofobia.
“Nuk duroj dot të pres në radhët e veturave dhe nëse ky proces do t’i zvogëlojë ato turma, atëherë duhet mbështetur”, tha Hill, transmeton Tanjug.
Ai theksoi se është një iniciativë e shkëlqyer dhe se është e mrekullueshme të shohësh Kryeministrin e Shqipërisë dhe Presidentin e Serbisë duke diskutuar për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme për qytetarët.
Ambasadori amerikan shtoi se ka shumë histori në këto zona, se është e rëndësishme të respektohet historia, por nuk duhet të jetë rob i saj.
“Unë vlerësoj se gjithçka do të zgjidhet që dikush të marrë diçka, e dikush të marrë diçka tjetër”, theksoi ai, duke shtuar se nuk është i interesuar të mbajë anë dhe edhe pse vendi i tij ka një qëndrim tjetër ndaj Kosovës në krahasim me Beogradi zyrtar, nuk e pengon atë të bashkëpunojë me qeveritë e Beogradit dhe Prishtinës. Ai vlerësoi se nuk është në interesin e askujt që të vazhdojë të jetojë me tensione.
0 komentet