Hiper: Kallas nesër me liderët e Serbisë dhe Kosovës, përgjegjësit për sulmin në kanal duhet të mbajnë përgjegjësi

Anita Hiper
Burim: Kosovo online

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Punë të Brendshme, Anita Hiper, ka bërë të ditur se nesër pritet takimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Serbisë dhe Kosovës.

Duke komentuar incidentin në kanalin Ibër-Lepenci, ajo theksoi se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë dhe shprehu kënaqësinë që autoritetet e Kosovës kanë nisur hetimet.

Ajo ka theksuar se EULEX-i është duke monitoruar situatën dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen në përputhje me mandatin e tij.


“Kur është fjala për Kosovën, ne lëshuam një deklaratë nga Përfaqësuesja e Lartë që dënoi sulmet terroriste dhe mirëpriti faktin që autoritetet e Kosovës tani po hetojnë këtë çështje. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Sa i përket EULEX-it, ju e dini se që nga viti 2018, EULEX-i nuk ka më mandat ekzekutiv për të kryer hetimin, por EULEX-i është duke monitoruar situatën dhe ka qenë i pranishëm gjatë kontrollit dhe ka ofruar mbështetje. Kjo është diçka që EULEX-i dhe KFOR-i po e bëjnë brenda mandatit të tyre”, tha Hiper.

Ajo bëri të ditur se nesër do të mbahet takimi i përfaqësueses së lartë të BE-së me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse takimi i nesërm i përfaqësueses së lartë me liderët e Kosovës dhe Serbisë është pjesë e dialogut, Hiper tha se “takimi nuk është pjesë e dialogut në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Ajo tha se edhe Serbia edhe Kosova duhet të tregojnë vullnet për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar në ndriçimin e rastit.