Hoxha: Kemi rritë prezencën e policisë speciale në veri të Kosovës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se prania e policisë speciale në veri është shtuar pas ngjarjeve në Banjskë, transmeton REL.
Hoxha nuk ka dhënë detaje se sa janë fuqizuar kapacitetet e njësisë speciale, por ka thënë se policia e Kosovës është në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe EULEX-in.
“Kemi shtuar prezencën dhe vigjilencën rreth zonës kufitare. Gjithashtu kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. “Kemi reduktuar pak patrullat e policëve të thjeshtë, sepse ata nuk kanë një nivel të tillë mbrojtjeje për të përballuar çdo sulm të mundshëm”, tha Hoxha.
Srgjan Simonoviq, nga Qendra Humane në Mitrovicën e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se “armiqësia” e popullatës vendase ndaj policisë së Kosovës, në përgjithësi, ka vazhduar që nga paslufta e vitit 1999.
“Pasardhësi ligjor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në valën e parë ishte Policia e Kosovës, e më vonë edhe Forcat Mbrojtëse të Kosovës. Policia e Kosovës tradicionalisht është vazhdimësi e UÇK-së dhe në këtë kontekst serbët e shohin gjithmonë si armik”, thotë Simonoviq.
komentet