Jevtiq me Oravin për problemet e serbëve në Kosovë

Jevtić sa Oravom
Burim: Kosovo Online

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, vizitoi sot Komunën e Shtërpcës dhe me këtë rast u takua me kryetarin e Komunës, Dallibor Jevtiq. Jevtiq tha se me Oravin ka biseduar për problemet aktuale dhe për mundësinë e mbështetjes së mëtejshme nga Zyra e BE-së për Komunën e Shtërpcës.

Pas takimit, Jevtiq theksoi se biseda ishte përmbajtësore dhe se ai e ka njoftuar ambasadorin e BE-së me të gjitha temat aktuale, si në Komunën e Shtërpcës, ashtu edhe në përgjithësi.

„Veçanërisht kam theksuar faktin se disa nga garancitë që kemi pasur si komunitet serb në marrëveshjet me Bashkimin Evropian sot nuk respektohen. Faktin që bashkëqytetarët tanë në Shtërpcë dhe serbët në veri të Kosovës dhe Metohisë po marrin thirrje për t’u paraqitur në polici për intervistim në lidhje me atë që ata e quajnë veprim kundër rendit kushtetues të Kosovës, si një nga shqetësimet më të mëdha të serbëve në këto hapësira“, tha Jevtiq.

Ai tha se ambasadorit ia ka treguar edhe pengesat me të cilat ballafaqohet komuna që ai drejton nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“E theksova edhe çdo gjë që ka bërë Qeveria e Kosovës dhe kur është fjala për Komunën e Shtërpcës sa i përket pengesave që kemi pasur gjatë gjithë këtyre viteve, kemi folur edhe për projektet e financuara nga Bashkimi Evropian në territorin e Komunës së Shtërpcës, folëm për Brezovicën dhe për gjithçka që është thelbësisht e rëndësishme të thuhet në një takim si ky”, tha Jevtiq.

Ai tha se në vazhdimin e mëtutjeshëm të bisedës do të ketë mundësi t'i nënvizojë ambasadorit edhe disa gjëra të tjera.

“Së pari, qëndrimi ynë për disa nga këto çështje, të cilin ia përsërita ambasadorit, është se kur flasim për ekonominë, Brezovica duhet të jetë nën administrimin e Komunës së Shtërpcës, kur flasim për të drejtat e qytetarëve, të ndalojmë arrestimin dhe ndjekjen penale të serbëve vetëm pse janë serb, sepse kjo nuk po na çon askund. Mendoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm që pata rastin t'ia paraqes ambasadorit dhe të theksoj se edhe ne kemi pritshmëri që disa gjëra të ndryshojnë në të ardhmen kur bëhet fjalë për këto probleme”, tha Jevtiq.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar në rrjetin social “X” se me Jevtiqin ka diskutuar se si të harmonizohet turizmi me rritjen ekonomike.

"Me kryetarin Dallibor Jevtiq diskutuam se si të harmonizojmë turizmin me mbrojtjen e natyrës dhe rritjen ekonomike. Theksova se forcimi i lidhjeve lokale dhe qendrore dhe harmonizimi me politikat e BE-së mbeten kyçe. BE-ja është e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane", tha Orav.