KFOR: Nuk ka pasur shkelje të rregulloreve për dronët që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë
„Nuk kemi identifikuar asnjë shkelje të rregulloreve për dronët që mund të ndikojë në sigurinë në gjithë Kosovën“, u përgjigj KFOR-i në pyetjen e Kosovo online lidhur me pretendimet e ministrit të Punëve të Brendshme në mandat teknik, Xhelal Sveçla, dhe drejtorit të përgjithshëm të PK-së, Gazmend Hodxha, se „dronë nga Serbia kanë rrezikuar hapësirën ajrore të Kosovës“.
Siç theksohet më tej në përgjigjen me shkrim, komandanti i KFOR-it ka autorizime mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, prandaj KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës duke përdorur të gjitha mjetet dhe resurset që ka në dispozicion.
„Është thelbësore që të gjitha aktivitetet në hapësirën ajrore, veçanërisht pranë vijës kufitare administrative, të jenë të koordinuara siç duhet me KFOR-in, në mënyrë që të shmangen tensionet dhe të sigurohet siguria. KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë dhe vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij shumëvjeçar të OKB-së, në çdo kohë, paanshëm dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse të forcave të sigurisë“, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Kujtojmë se sot drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se kohëve të fundit ka pasur raste fluturimesh të dronëve në pjesën veriore të Kosovës, për të cilët, siç tha, dyshohet se kanë ardhur nga territori i Serbisë.
Të njëjtin pretendim e ka shprehur dje edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës në mandat teknik, Xhelal Sveçla.
0 komentet