Vuçiq: Po punojmë që edhe më shumë vende afrikane të tërheqin njohjen e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot në Nju Jork se po punon që edhe më shumë vende afrikane të tërheqin njohjen e Kosovës, dhe se më shumë informacione për këtë do të ketë në tetor.
Në pyetjen e gazetarëve nëse po punohet që edhe disa vende afrikane të tërheqin njohjen e Kosovës, Vuçiq u përgjigj:
“Po punoj për këtë. Do të keni shumë shpejt informacione të reja në muajin tetor. Disa gjëra tashmë i kemi përfunduar”.
Ai përcolli se në të gjitha bisedimet që delegacioni serb zhvilloi gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka theksuar pozitën e vështirë të popullit serb në Kosovë, veçanërisht që kur Albin Kurti mori pushtetin.
“Biseduam me të gjithë për situatën në Kosovë e Metohi, theksova pozitën e vështirë të popullit serb, çfarë po ndodh që nga momenti kur Albin Kurti mori pushtetin”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se foli edhe për politikën e Serbisë – politikën e paqes, stabilitetit dhe së ardhmes.
Shtoi se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e kupton situatën në Kosovë.
“Ata kanë raportin e UNMIK-ut dhe e dinë shumë mirë, e pashë edhe nga reagimet e bashkëpunëtorëve të tij. Këtë në OKB e kuptojnë mirë, edhe pse kemi çështje të tjera për të cilat nuk jemi dakord”, tha Vuçiq.
Ai bëri të ditur se mbrëmë ka biseduar për Kosovën edhe me shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, si dhe me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në darkën që u organizua.
“Me të gjithë kemi folur për Kosovën e Metohinë, për marrëdhënien e Serbisë me BE-në, por edhe për çdo gjë tjetër. Edhe për atë në çfarë unë besoj, cilat janë idetë e mia, a janë ndryshuar. Unë thashë se e vetmja gjë e rëndësishme është ajo që them në mënyrë racionale, sepse kujdesem për Serbinë që është më e rëndësishme se emocionet e mia, të cilat ndonjëherë nuk di t’i fsheh. Por Serbia do të mbetet fuqishëm në rrugën evropiane”, porositi presidenti Vuçiq.
Ai përcolli se ka biseduar me shumë liderë botërorë që nga momenti kur përfundoi fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ai tha se ka pasur një bisedë dy orëshe me presidentin e Këshillit të BE-së, me shefin e diplomacisë gjermane, me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, me presidentin e Republikës Demokratike të Kongos, me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, me zëvendëskryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, dhe se e presin takime me kryeministrin e Izraelit dhe shumë të tjerë nga vendet e paangazhuara.
“Në të gjitha bisedimet kemi konfirmuar përkushtimin ndaj rrugës evropiane, vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave, dhe kemi folur në mënyrë demokratike për disa mospajtime. Pa ekuivoke kemi konfirmuar dëshirën e Serbisë për të përshpejtuar rrugën e saj evropiane”, theksoi ai.
Vuçiq tha se ka biseduar edhe për situatën rajonale, për gjendjen në Bosnjë e Hercegovinë, veçanërisht sa i përket Republikës Sërpska, dhe qëndrimin e Serbisë ndaj gjithë kësaj.
Nga 1 tetori sanksionet e SHBA-së ndaj NIS-it do të hyjnë në fuqi
Vuçiq u tha gazetarëve se SHBA-të kanë shtyrë sanksionet ndaj NIS-it vetëm deri më 1 tetor.
“Prej 1 tetorit do të kemi të vendosura sanksione ndaj NIS-it. Sigurisht që ne jemi dëm kolateral i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit, sepse rusët janë partneri shumicë në NIS. Por, ne do të paguajmë një çmim të lartë”, tha Vuçiq.
Ai supozon se partnerët rusë do të thonë se kanë rezerva vetëm për një muaj ose dy, dhe më pas do të pasojnë edhe problemet me pagesat e pagave, sepse nuk mund të kryejnë transaksione financiare.
“Pa dyshim na pret një kohë e vështirë dhe një dimër i vështirë. Do të bëjmë gjithçka që qytetarët të kenë një dimër të ngrohtë dhe të mos shqetësohen për furnizimin e makinave të tyre. Tani pas kësaj gjithçka na komplikon edhe më shumë, krijon probleme politike dhe ekonomike. Do të luftojmë, do të bisedojmë dhe do të kërkojmë një dalje nga kjo situatë shumë e pakëndshme dhe e vështirë”, nënvizoi Vuçiq.
Ai thotë se po shqyrtohen të gjitha mundësitë, por interesimi për problemet e Serbisë është i vogël.
“Si të bësh një plan për t’u përplasur me kokë përmes muri? Me anën e majtë apo të djathtë? Koka do të thyhet sërish. Ne përpiqemi të gjejmë një rrugë tjetër, që të mos jetë një goditje kundër murit. Unë merrem me këtë çdo ditë, tashmë tetë apo nëntë muaj, dhe ende nuk e kam gjetur. Nëse dikush e sheh, le ta tregojë. Çfarëdo që të propozojmë palës ruse, ajo nuk pranon; dhe çfarëdo që të propozojmë amerikanëve për shtyrjen e sanksioneve, ata i vendosin. Çfarë të bëj, t’u kërcënoj rusëve, amerikanëve? Ne jemi të vegjël, nuk ka logjikë; dhe unë duhet t’u siguroj njerëzve naftë,” shpjegoi Vuçiq.
0 komentet