Lajçak: Është arritur marrëveshja për takimin në Bruksel, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme

Lajčak
Burim: Kosovo Online

I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe kryenegociatorin e Prishtinës, Besnik Bislimi, tha se në atë takim është biseduar për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, për Urën mbi Ibër, si dhe për datën e takimi i kryenegociatorëve në Bruksel.

“Jam këtu në Prishtinë me ftesë të Bislimit, në kuadër të përgatitjeve për takimin e ardhshëm të negociatorëve kryesorë në Bruksel në ditët në vijim. Ne diskutuam për detajet e rendit të ditës së takimit dhe çështjet që do të trajtohen. Gjithashtu, çështja se si të zhbllokohet aplikimi i marrëveshjes së arritur më parë për normalizim është shumë e rëndësishme, kam pasur një bisedë jashtëzakonisht të rëndësishme për këtë. Diskutuam gjithashtu se sa progres është bërë që nga takimi i fundit i negociatorëve kryesorë”, tha Lajçak.

Ai ka përsëritur qëndrimin se Ura mbi Ibër duhet të hapet, por në marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

“Kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër për qarkullim. Po e përsëris qëndrimin tim, ura duhet të hapet, por duhet të hapet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, ka shtuar ai.


I pyetur për bllokimin në pikat kufitare me Kosovën, që ishte paralajmëruar për sot në orën 18:00, Lajçak tha se i kishte parë njoftimet, por se shpreson se nuk do të ketë bllokadë, sepse, siç tha ai, do të ndikojë negativisht në lirinë e lëvizjes.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse ka informacione se Serbia do të tërhiqet nga Marrëveshja e Ohrit, Lajçak tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe jemi duke punuar në implementimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe jemi duke biseduar me të dyja palët, me Serbinë dhe Kosovën, për të përshpejtuar zbatimin”, tha Lajçak.

Siç ka thënë ai, Serbia e ka tërhequr letrën nga dhjetori i vitit 2023. në të cilën ajo u shpreh se nuk do të zbatojë ato pjesë të Marrëveshjes së Ohrit që kërcënojnë interesat kombëtare të Serbisë.

“Letra është tërhequr. Ka pasur disa deklarata që nuk kanë qenë të dobishme, por marrëveshja është plotësisht e vlefshme në tërësinë e saj dhe më shumë se kaq...Dhe si e tillë, marrëveshja është pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë, prandaj ka rëndësi të dyfishtë”, tha Lajçak.

Sa i përket se kur është caktuar takimi ndërmjet negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Lajçak tha se është arritur një marrëveshje, por se ende nuk është koha për ta bëjë të ditur datën.

“Kemi biseduar për këtë, kemi një marrëveshje, por nuk do ta bëj të ditur ende”, ka përfunduar Lajçak.