Lajçak për rezultatin e vizitës në Prishtinë dhe Beograd: Shpresuam për rezultate më të mira, tensionet janë ende të larta
I dërguari i posaçëm i BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, foli nga Brukseli pas takimeve që pati javën e kaluar së bashku me emisarin amerikan Gabriel Escobar në Beograd dhe Prishtinë me qëllim të de-përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës dhe theksoi se pavarësisht shpresave që kishin, tensionet janë ende të larta.
Lajçak ka postuar në Facebook dhe ka theksuar se së bashku me zëvendësndihmës sekretarin amerikan dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Escobar, ka udhëtuar në rajon me qëllim që të përballet me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Me atë rast, tha ai, në Prishtinë kanë pasur takime të shumta, duke përfshirë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe opozitën kosovare.
“Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimin tonë për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne përsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kërkuan nga palët të bëjnë kur kërkuan një zgjidhje politike: de-përshkallëzimi i menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në dialogun për normalizim”, ka shkruar Lajçak.
Ai theksoi se përfaqësuesve të opozitës kosovare u është thënë se kriza aktuale po e dëmton imazhin e Kosovës dhe u është kërkuar që të mbështesin një zgjidhje politike për qetësimin e tensioneve.
“Unë dhe Eskobar u takuam edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të shoqërisë civile, për t'i dëgjuar dhe për t'u shpjeguar pse është e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje”, theksoi Lajçak.
Më tej ai thekson se janë takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin kanë zhvilluar “diskutime po aq të gjata, por aspak të lehta” për daljen nga kriza aktuale. Lajçak tha gjithashtu se të gjithë qytetarët kanë të drejtë në protestë paqësore, por dhuna nuk është kurrë e pranueshme dhe nuk mund të mbetet e pandëshkuar.
“Unë dhe Escobar shpresonim për një rezultat më të mirë të misionit tonë, por fatkeqësisht, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta”, tha Lajçak.
Ai theksoi se ka ardhur në Bruksel për të informuar BE-në dhe vendet anëtare për rezultatet e këtyre bisedimeve dhe hapat e ardhshëm.
"Ne vazhdojmë përpjekjet dhe mbështetjen tonë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike," shkroi Lajçak.
komentet