Lista Serbe: Arrestimet e pabazuara në Zubin Potok dhe Zveçan janë pjesë e fushatës së frikësimit të serbëve

Srpska lista
Burim: Kosovo Online

Arrestimet e sotme të pabazuara dhe brutale të serbëve në Zubin Potok dhe Zveçan përbëjnë vazhdim të terrorit të organizuar të regjimit të Albin Kurtit ndaj popullit serb në Kosovë, njoftoi Lista Serbe.

Njësitë speciale të policisë së Kosovës, siç thuhet nga Lista Serbe, të pajisura me armatim të plotë lufte, hynë në orët e hershme të mëngjesit në shtëpitë serbe, duke thyer dyer dhe duke shkaktuar frikë e panik mes qytetarëve.

„Bëhet fjalë për një demonstrim të hapur të forcës dhe përpjekje për të frikësuar popullin tonë. Veprime të tilla përfaqësojnë një formë të qartë të hakmarrjes politike ndaj popullit serb në veri të Kosovës dhe Metohisë, pas fitores bindëse të Listës Serbe në zgjedhjet e fundit, si dhe shprehje të nervozizmit dhe pafuqisë së Prishtinës, e cila përpiqet ta kompensojë disfatën e saj zgjedhore me ndjekjen e të pafajshmëve – të gjitha këto në kuadër të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, në të cilat Kurti dëshiron të fitojë në disa komuna, duke qenë i vetëdijshëm se nuk ka asgjë tjetër për t’u ofruar votuesve përveç urrejtjes ndaj serbëve“, theksohet në reagim.

Ata shtojnë se përfaqësuesit e Listës Serbe janë në kontakt me anëtarët e familjeve dhe se të gjithë të arrestuarve padrejtësisht u është siguruar ndihmë juridike.

„Duke pasur parasysh raundin e dytë të ardhshëm të zgjedhjeve lokale dhe krizën në Prishtinë, i bëjmë thirrje popullit tonë të qëndrojë i qetë dhe i bashkuar, sepse e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. Asnjë aksion frikësimi nuk do ta thyejë shpirtin e popullit serb dhe as vendosmërinë tonë për të mbetur në vatrat tona shekullore. Detyra jonë është të ruajmë njëri-tjetrin dhe paqen që na nevojitet më shumë se kurrë“, thuhet në fund të njoftimit të Listës Serbe.

Siç njoftoi Zyra për Kosovën dhe Metohinë, shtatë serbë u arrestuan në Zubin Potok në Zveçan.

Bastisjet në nëntë lokacione në Zubin Potok dhe Zveçan u urdhërua këtë mëngjes nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës në kuadër të, siç njoftoi, hetimit për krim të organizuar dhe krime të rënda.