Lista Serbe: Kërcënimi publik i Kurtit është një thirrje për ekstremistët për një përballje përfundimtare me serbët

Srpska lista
Burim: Facebook

Pas kërcënimit të shprehur publikisht se populli serb dhe anëtarët e Listës Serbe “do të paguajnë dhe do të vuajnë, presionin më të tmerrshëm ndaj popullit tonë në Kosovë dhe anëtarëve të Listës Serbe po e bën regjimi i Albin Kurtit, njoftuan nga ajo parti.

“Pas rrahjes së të rinjve në Graçanicë dhe pas arrestimit të pajustifikuar të tre serbëve, sot herët në mëngjes, mjete shpërthyese janë hedhur në shtëpitë e familjeve të Srgjan Ristiqit, drejtor i parashkollorit “Bletëza Maja” në Ranillug, Vlladica Aritonoviqit, nënkryetar i komunës së Ranillugut dhe Zoran Ristiqit, drejtor i Qendrës për Punë Sociale nga Ranillugu”, njoftojnë nga Lista Serbe.

Siç shtojnë ata, fatmirësisht në këto tre sulme ekstremiste nuk ka patur asnjë të vrarë apo plagosur, megjithëse dëmet materiale janë të mëdha.

“Në kohën e këtyre sulmeve të tmerrshme, nëpër shtëpi kishte familje të tëra, madje edhe fëmijë. Është e qartë se kërcënimi i shprehur publikisht nga Albin Kurti është një thirrje drejtuar ekstremistëve për përballjen përfundimtare me popullin serb dhe Listën Serbe dhe se këto sulme janë pjesë e një plani më të gjerë për të persekutuar popullin serb nga këto zona. Sulmi ndaj përfaqësuesve të popullit dhe familjeve të shquara serbe u dërgon mesazh të gjithë serbëve që të mos planifikojnë jetën e tyre në këto zona, gjegjësisht të largohen sa më shpejt nga Kosova dhe Metohia sepse ata dhe familjet e tyre janë në shënjestër”, kanë bërë të ditur nga Lista Serbe.

Siç thuhet në njoftim, duke pasur parasysh se regjimi i Albin Kurtit po përdor institucionet për t'u marrë me serbët, Lista Serbe kërkon që forcat ushtarake ndërkombëtare, KFOR-i dhe EULEX-i, në përputhje me mandatin e tyre, të qëndrojnë në mbrojtje të popullit serb, i cili nuk mund të përballojë presionet e regjimit në Prishtinë.