Lista Serbe: Kurti po zbaton me shpejtësi planin për spastrimin etnik të serbëve – për çfarë shërbejnë EULEX dhe KFOR-i?

Me dëbimin e policëve serbë, lëshimin e fletarresteve dhe marrjen në pyetje të dhjetëra serbëve, si dhe me paralajmërimin për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër, Albin Kurti po e zbaton me shpejtësi planin për spastrimin etnik të popullit serb nga Kosova – ka deklaruar sot Lista Serbe, duke ngritur pyetjen: për çfarë ekzistojnë EULEX-i dhe KFOR-i?
“Me dëbimin e policëve serbë të cilët janë lindur dhe kanë jetuar për dekada në Kosovë e Metohi, me lëshimin e fletarresteve dhe marrjen në pyetje të dhjetëra serbëve për protestat paqësore të mbajtura në vitin 2022 – ose siç i quan Prishtina, ‘barrikadat’ – si dhe me paralajmërimin për ndërtimin e dy urave mbi Ibër, Albin Kurti po zbaton shpejt dhe pa asnjë maskim planin për spastrimin etnik të popullit serb nga Kosova dhe Metohia,” ka paralajmëruar Lista Serbe.
Nga kjo parti theksojnë se bëhet fjalë për dhunë institucionale e cila, siç thonë ata, po ushtron presion të paparë mbi serbët e ndershëm që nuk heqin dorë nga emri dhe mbiemri i tyre serb, nuk dëshirojnë të jenë “shërbëtorë të Kurtit” dhe që tashmë janë në shënjestër vetëm sepse janë serbë.
Lista Serbe thekson gjithashtu se është turp dhe shqetësuese mungesa e çdo reagimi nga misionet dhe institucionet ndërkombëtare – BE-ja, Kvinta, UNMIK-u dhe KFOR-i – të cilët, siç kujton ajo, sipas mandatit të tyre, do të duhej ta ndalonin këtë sjellje dhe të mbronin të drejtat themelore të njeriut.
Ata theksojnë se pasiviteti i bashkësisë ndërkombëtare nuk është asgjë tjetër veçse bashkëpjesëmarrje në spastrimin etnik të popullit serb nga vatrat e tij shekullore në shekullin XXI, në zemër të Evropës.
Ata theksojnë se e gjithë kjo nuk është pjesë e një fushate zgjedhore, edhe pse ka pasoja të drejtpërdrejta politike, por një plan i hapur për ndjekjen e të gjithë serbëve dhe shkatërrimin e gjithçkaje që është serbe – përpara syve të opinionit publik ndërkombëtar.
Për këtë arsye pyesin – për çfarë shërbejnë EULEX-i dhe KFOR-i?
“Paraqitet pyetja – për çfarë ekzistojnë EULEX-i dhe KFOR-i nëse serbët nuk kanë sigurinë themelore në shtëpitë e tyre, nëse ndaj tyre po zbatohet dhunë institucionale, nëse ndaj tyre po lëshohen fletarreste dhe po përndiqen pa asnjë bazë ligjore dhe jashtë procedurave të përcaktuara me ligj?”, pyesin nga Lista Serbe.
Reagimi i Listës Serbe erdhi pasi pjesëtari i MPB-së së Serbisë, Jovica Arsiq, u deportua sot me urdhër të Drejtorisë për Migracion në Prishtinë, pasi më herët gjatë ditës ishte arrestuar në vendkalimin administrativ Konçul.
Arsiq është polici i katërt i MPB-së së Serbisë që është dëbuar nga Kosova brenda vetëm disa ditësh.
Policia e Kosovës, para disa ditësh, në pikat kufitare arrestoi tre pjesëtarë të MPB-së së Serbisë – Mlladen Millojeviqin nga Leposaviqi, Aleksandar Mirkoviqin nga Parteshi, Nikolla Vujoviqin nga Zubini Potoku, si dhe një polic të pensionuar, Millan Simiqin nga Babimoci.
Një ditë më vonë u arrestua edhe Millan Zllatanoviq nga Ropotova e Madhe.
Millojeviqi, Vujoviqi, dhe më pas edhe Zllatanoviqi, u deportuan nga Kosova.
0 komentet