Lista Serbe: Nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës

Lista Serbe sot ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen në muajin prill, për shkak se, siç kanë thënë, nuk u plotësuan kërkesat që i bënë ata të largoheshin nga institucionet e Kosovës.

Lista serbe bëri të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar njoftim partisë së tyre politike se nga data 9 deri më 18 mars është afati i fundit për aplikimin e partive për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.

Ata deklarojnë se, përveç mospjesëmarrjes në ato zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak se nuk u plotësuan kërkesat që i bënë ata të largohen nga institucionet e Kosovës, nuk do të marrin pjesë në asnjë zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat e tyre legjitime.

“Kjo e bën më se të qartë se Prishtina dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të saj po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës e Metohisë, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb, kundër vullnetit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.