Lista Sërbe: Shkarkohen të gjithë drejtorët e emëruar politikisht në sektorët komunalë në veri
Lista Sërbe informon se kryekomunarët e katër komunave me shumicë sërbe në veri të Kosovës sot kanë firmosur shkarkimin e drejtorëve të emëruar më herët në sektorët komunalë.
“Kryekomunarët e Mitrovicës së Veriut Millan Radojeviq, i Zveçanit Dragisha Milloviq, i Zubin Potokut Millosh Peroviq dhe i Lleposaviqit Zoran Todiq, morën detyrën në këto komuna dhe urdhëruan shkarkimin e të gjithë drejtorëve të emëruar politikisht në sektorët komunalë”, bëhet e ditur në deklaratën e Listës Sërbe publikuar në Instagram.
Emërimi i drejtorëve të rinj në sektorët komunalë, pritet të bëhet pas disa ditësh.
Kryekomunarët e rinj në të katër komunat e veriut, morën detyrën të premten pasi u betuan përpara këshilltarëve në kuvendet komunale.
Ndërkaq, kryebashkiakët e rinj në hyrje të godinave komunale, ndeshën ambiente të drobitura dhe të shkatërruara.
Kryekomunari i Zveçanit Dragisha Milloviq u shpreh dy ditë më parë se në hyrje të ambjenteve të komunës u ndesh me pamje të tmerrshme ku uji rridhte nga të gjitha anët dhe se ekipet kompetente punojnë për riparimin e dëmeve.
Ai u shpreh se një numër veprash arti që ndodhen në zyrat e komunës, janë shkatërruar duke i lënë disa përdhe çka tregon për mungesën e kujdesit gjatë viteve të shkuara.
Situatë e ngjashme ndeshi dhe kryekomunari i Mitrovicës së Veriut Millan Radojeviq i cili tha se gjendja që ndeshi në godinat komunale është trishtuese, zhgënjyese dhe katastrofale”.
0 komentet