Lista serbe: Vendimi i prokurorit shqiptar është shembull i dhunës sistematike dhe të planifikuar me qëllim e dëbimit të serbëve
Vendimi i prokurorit shqiptar nga Ferizaj që aktin e një pjesëtari shqiptar të FSK-së, i cili në Ditën e Buzimit në Gotovushë tentoi të vriste fëmijët serbë dhe me atë rast u kishte shkaktuar me armë zjarri lëndime të rënda fizike, e cilësoi si rrezik të përgjithshëm ëshë një shembull i dhunës sistematike dhe të planifikuar institucionale të regjimit antiserb të Albin Kurtit me qëllim të frikësimit dhe dëbimit të serbëve nga vatrat e tyre, raporton Lista Serbe.
Siç thonë ata, përkundër provave të panumërta materiale, deklaratave të fëmijëve të plagosur dhe dëshmitarëve të atij sulmi të urryer, të paprovokuar ndaj fëmijëve serbë, ai prokuror në vend që ta cilësonte veprën si vrasje në tentativë, veprën e cilësoi si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me përdorimin e armëve.
“Paturpësia dhe mungesa e çfarëdolloj profesionalizmi, humanizmi dhe përgjegjësie reflektohet në faktin se edhe brenda nenit që e përcakton atë vepër, ai zgjodhi formën më të lehtë për të cilën sipas praktikës gjyqësore në Kosovë e Metohi gjykatat e vendosin dënim me kusht dhe gjobë”, theksohet në deklaratë.
Theksohet se kështu duket drejtësia dhe ligji në praktikë kur viktimat janë serbët dhe fëmijët e tyre, para syve të të gjitha organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfaqësuesit e të cilave hartojnë raporte të zbukuruara për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë e Metohi dhe t'i fryjë velat regjimit të Albin Kurtit, i cili i flet për qeverinë e tij si më demokratike dhe si ajo që respekton sundimin e ligjit, të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe që i trajton qytetarët në mënyrë të barabartë pa dallim kombësie.
Për ta bërë ironinë edhe më të madhe, shtohet se i njëjti gjyqësor i Kosovës ka vite që i persekuton serbët pa asnjë provë, duke i futur në disa lista arresti dhe madje i ka dënuar me burgime afatgjata.
“Heshtja e Bashkimit Evropian, si dhe e të gjithë anëtarëve të tij, ambasadave të Quintit, UNMIK-ut, OSBE-së, EULEX-it dhe të gjitha organizatave të tjera në Kosovë e Metohi, por edhe në mbarë Evropën, të cilat merren me gjendjen e drejtave të njeriut, heshtja për këtë padrejtësi dhe paligjshmëri, është njollë në faqet e tyre. Lotët e fëmijëve serbë janë pika e fundit në gotën e pakënaqësisë serbe dhe mbi të cilën askush nga ne nuk mund të kalojë në heshtje", thuhet.
Ata besojnë se me kualifikimet e tilla të aktit lind vetëm një pyetje - cili fëmijë serb do të jetë viktimë e ekstremistëve dhe ngacmuesve që do të inkurajohen nga kjo sjellje e prokurorisë.
0 komentet