Llajçak: Dialogu Beograd-Prishtinë momentalisht në udhëkryq, marrëveshja egziston, mungon implementimi
I dërguari special i BE për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës Mirosllav Llajçak thotë në podkastin Sbunker në prag të takimit mes presidentit të Sërbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit kosovar Albin Kurti në Bruksel, se dialogu mes Kosovës dhe Sërbisë momentalisht është në udhëkryq duke theksuar se nëse dëshirohet sukses të këtij procesi, duhet të jenë të gatshëm për kompromis, ashtu sikurse të gjithëve duhet t’u bëhet e qartë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve nën konflikte dhe tensione në terren.
"Nga njëra anë kemi zhvillim pozitiv në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe integrimit europian dhe këtu sigurisht pika e kthesës ishte marrëveshja që u arrit vitin e kaluar në Ohër, e cila na dha kornizë të qartë se si të ecnim më tej dhe çeli rrugën për marrëveshjen përfundimtare ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Sërbisë. Por, sigurisht që të shkohet tek kjo, të dy palët duhet t’a zbatojnë tërësisht atë çka është dakordësuar në Ohër, çka fatkeqësisht deri më tani nuk ka ndodhur” tha Llajçak.
Nga ana tjetër, siç shprehet ai, egziston realitet paralel, ku nënkupton tensione, eskalime të dhunshme dhe konflikte.
"Kemi pasur kriza dhe dhunë në terren. Kjo sforcon dialogun, mua dhe ekipin tim, në vend që të fokusohemi në përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve, të drejtohemi tek menaxhimi i krizës dhe de-eskalimi. Dhe në vend që të kemi instrumente që do të promovojnë paqen, bashkëpunimin dhe integrimin europian, ne duhet të menaxhojmë krizat. Një gjë është e qartë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve nëse kemi konflikt në terren”, theksoi ai.
Sikurse thotë, kjo është gjithashtu tek të dy palët dhe nuk është diçka që ndonjë ndërmjetës apo ndonjë nga jashtë të mund të ndikojë.
Është tek palët të përzgjedhin normalizimin, të zgjedhin dialogun, të zgjedhin zbatimin e marrëveshjes, thotë Llajçak dhe shton se marrëveshja egziston dhe se ai është i bindur se përgjigja më e mirë të cilën Sërbia dhe Kosova mund të kenë, është dhe karta e të ardhmes.
Duke komentuar negociatorët e Kosovës dhe Sërbisë, Llajçak thotë se Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq janë liderë legjitimë, për më tepër që të dy kanë mandat të fortë që e kanë marrë prej zgjedhësve.
"Ata përfaqësojnë pozitën dhe interesat e popujve të tyre. Kjo është e natyrshme, ajo çka është sfiduese për ne si lehtësues është se kanë qasje diametralisht të kundërta në qasjen ndaj dialogut e gjithashtu karakteret e tyre dhe qasjet e ndryshme, nuk kontribuojnë tek progresi. Këtu dëshiroj një gjë të them, nëse duam që ky proces të ketë sukses, nëse duam dialog për normalizim, kjo duhet të bazohet me kompromis”, theksoi ai.
Nëse ndokush mendon se kjo mund të përfundojë me fitore të plotë të njërës palë dhe se pala tjetër nuk merr asgjë, siç thotë Llajçak, nuk do të arrijë askund.
Tregon se të dy palët duhet t‘a paraqesin marrëveshjen para publikut dhe parlamenteve të tyre.
“Megjithatë, ky lloj mirëkuptimi mungon në bisedimet tona dhe për këtë nuk kemi progres aq sa do të dëshironim të kishim“ bën të ditur ai.
Sipas fjalëve të tij, vitin e kaluar, në fund të takimit në Ohër, të gjithë menduan se kaq ishte, u arrit marrëveshja përfshirë të dy palët.
"Situata në hapësirën ku patëm takimin është se kemi arritur diçka shumë të madhe dhe të rëndësishme sepse me këtë marrëveshje kishim kornizë të qartë për rrugën e normalizimit. Nuk na duhej më të shtronim pyetjen se çfarë apo nëse, pyetja ishte vetëm kur. Dhe nuk kemi patur kurrë më parë këtë. Por, ajo çka mungon është implementimi, guximi për të hedhur hapin e parë, nga ana tjetër, ne si ndërmjetës e kemi pasur të qartë se implementimi duhet të jetë transparent dhe i bazuar në atë se duhet të jepet diçka, për të marrë diçka dhe duhet të them se asnjë nga liderët nuk e përshëndeti kur u kthyen nga Ohri, askush nuk tha se kemi diçka të mirë për ne”, tha Llajçak.
Ky i fundit bëri të ditur se ka qenë e vështirë për Vuçiqin dhe Kurtin të përballen me kritika të opozitës, shoqëritë civile dhe për këtë mendon se çështja e normalizimit nuk është për liderët, por duhet të jetë çështje për mbarë shoqërinë.
Ai thekson se Bashkimi Europian disa herë ka qenë plotësisht i qartë, e kjo është që normalizimi i marrëdhënieve është kusht kyç për përparimin tek integrimet europiane.
Në këtë kuptim, siç thotë, Bashkimi Europian tani është gati për anëtarë të rinj dhe ai moment duhet të ndihmojë në zhbllokimin e dialogut dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Pyetjes rreth Bashkësisë së Komunave Sërbe, Llajçak thotë se ajo është dakordësuar shumë më parë prej kohës së tyre dhe marrëveshjes mes Vuçiqit dhe Kurtit në Ohër. Bën të ditur se është dakordësuar se formimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe është kyçe për normalizimin e marrëdhënieve dhe kjo ka qenë në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015.
Ai rikujton se ajo marrëveshje është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe në 2015 është dakordësuar se si duhet të formohet.
Duhet të egzistojë draft-statut në të cilën të dakordësohet në kuadër të dialogut dhe ai statut të vlerësohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës.
Llajçak bën të ditur se ka pasur disa propozime, por i pari është propozuar zyrtarisht vitin e kaluar, më 2 maj dhe në shumë aspekte nuk ka qenë i pranueshëm për Kosovën, por as për BE si ndërmjetëse.
Atëherë, sikurse bën të ditur, thirri të dy palët të shkruajnë draft-statutin, por në vend të kësaj patën krizë në terren dhe ishte e qartë se pas krizës që pasoi në maj në veri për shkak të kryekomunarëve shqiptarë, demonstratave të dhunshme, palët nuk ishin në gjendje të bënin atë dokument.
“Ndaj, pas konsultimeve me anëtarët e BE, SHBA, vendosëm t‘a bëjmë këtë në vend të palëve dhe shkruajtëm draft-statutin. Drafti u bë nga ekspertë juridikë, ekspertë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, përfshirë ekspertë nga Këshilli i Europës, SHBA, Gjermania, Franca dhe Italia. Ky statut bazohet në atë që është dakordësuar në radhë të parë, duke respektuar sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe respektuar vijat e kuqe që të dy palët patën paraqitur gjatë dialogut”, ka bërë të ditur i dërguari special i BE për dialog.
Ai kujton se atë dokument e kanë prezantuar në Beograd dhe Prishtinë më 21 tetor dhe se kanë ftuar Vuçiqin dhe Kurtin të vijnë në Bruksel për të biseduar konkretisht rreth tij.
“Reagimi i parë i Qeverisë Kosovare ka qenë konstruktiv, ata përcollën komente në atë tekst, përcollën komente edhe Qeveria edhe Presidentja e Kosovës, kemi patur diskutime në lidhje me këtë dhe më 26 tetor kryeministri Kurti ka thënë se është i gatshëm t‘a pranojë atë dokument ashtu siç është nëse nënshkruhet nga pala e Sërbisë dhe e Kosovës së bashku me marrëveshjen e Ohrit. Prej atëherë nuk ka pasur angazhim të mëtejshëm rreth këtij dokumenti dhe nuk kemi patur përparim në implementimin e asaj marrëveshjeje”, tha Llajçak.
Sikurse shton ky i fundit, disa vende të rëndësishme porositën Kosovën që të përcjellë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese, çka është mënyra më e mirë për të parë sesi ai dokument është në përputhje me Kushtetutën.
“Ky është propozim logjik i Qeverisë së Kosovës. Nuk ka arsye për frikë nga ai dokument, sepse ne kurrë, unë kurrë nuk do të propozoja diçka që nuk do t‘a propozoja për vendin tim dhe diçka që nuk është në përputhje me atë standart europian dhe vlerat europiane”, tha ai.
Pyetjes se cilën konsideron arritjen e tij më të madhe gjatë mandatit të vet, Llajçak thotë se është rruga e normalizimit sepse procesi ka lëvizur në nivele të ndryshme dhe nuk mund të anulohet sepse është aty dhe duhet vetëm të impleentohet.
"Dhe me të vërtetë shpresoj se pas më shumë se një viti, do t‘a finalizojnë implementimin dhe se nuk do të diskutojmë rreth hapave të para. Marrëveshja është aty, i‘a lë pasardhësit tim dhe nevojitet zbatimi", tha ai.
Bën të ditur dhe zgjidhje të tjera pozitive konkrete si arritje, sikurse marrëveshjet për energjinë, targat.
Për atë që nuk është i kënaqur, Llajçak bën të ditur mosegzistencën e implementimit. Duke i‘u përgjigjur pyetjes se çfarë këshille do t'i jepte pasardhësit të vet, Llajçak thotë se fundi i mandatit të tij nuk është kaq afër sa mendohej fillimisht dhe se puna e tij vazhdon.
Për tani, thotë ai, nuk ka këshillë dhe kur të vijë koha, do të ketë shumë për të ndarë me pasardhësin e vet.
“Tani është një i dërguar special i BE për dialogun Beograd-Prishtinë, këtu jam, bisedoni me të, këtu është edhe ekipi im, nuk është ende koha për këshilla”, tha Llajçak.
0 komentet