Luçiq: Me mbështetjen e SHBA-ve, presim zgjidhje për diskriminimin e Telekomit në Kosovë
Drejtori i përgjithshëm i Telekomit të Serbisë, Vlladimir Lluçiq, deklaroi se pret ndihmën e administratës së re amerikane për zgjidhjen e problemeve që kjo kompani ka në territorin e Kosovës, ku, sipas tij, institucionet e Prishtinës zbatojnë një politikë diskriminuese ndaj Telekomit për shkak se është në pronësi shumicë të shtetit të Serbisë, raporton RTV.
Ai theksoi për televizionin Pink se ardhja e Bankës Import-Eksport të SHBA-ve është një sinjal i shkëlqyer për bashkëpunimin ekonomik dhe se kjo bankë do të financojë edhe projekte të tjera amerikane në Serbi, si dhe do të mundësojë tërheqjen e investimeve të reja amerikane në Serbi.
Lluçiq kujtoi gjithashtu se Telekomi i Serbisë është operatori i parë në këtë pjesë të Ballkanit që ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Evropiane të Investimeve, e cila gjithashtu ndihmon në financimin e rrjetit 5G në Serbi.
„Mendoj se është një gjë e madhe që po e sjellim në Serbi, kjo do të mundësojë financim jashtëzakonisht të mirë edhe për të gjitha produktet amerikane që do të zbatojmë në rrjetin 5G“, tha Lluçiq.
Duke folur për sa mund të ndihmojë bashkëpunimi me partnerët amerikanë në zgjidhjen e problemeve që kompania ka në Kosovë, Lluçiq tha se është i sigurt se administrata e re amerikane do të ndihmojë në këtë drejtim dhe vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet SHBA-ve dhe Serbisë janë përmirësuar ndjeshëm falë presidentit Aleksandar Vuçiq.
„Edhe me administratën e kaluar kemi vendosur marrëdhënie të shkëlqyera, ndërsa me administratën aktuale duhet të shfrytëzojmë faktin që kemi qëndrime të ngjashme për shumë çështje që po ndodhin në botë“, tha Lluçiq.
Ai shtoi se palës amerikane i shpjegon se në Evropë ekziston një "pikë e zezë" ku institucionet e Prishtinës shkelin ligjin duke diskriminuar Telekomin e Serbisë, për faktin se është kompani me pronësi shumicë nga shteti i Serbisë.
Duke folur për faktin që Telekomi si platformë ka bashkuar shumë kanale dhe që tani pothuajse të gjitha kanalet sportive mund të shikohen në një vend, Vlladimir Lluçiq tha se i vjen mirë që Telekomi ka dalë fitues nga një konflikt i madh komercial pasi “United Group” është tërhequr nga tregu.
„Pas gati 19 vitesh, arritëm ta zgjidhim problemin për të cilin shikuesit gjithmonë kanë qenë të kufizuar në ndonjë sport. Jo vetëm që “United Group” u tërhoq, por ne kemi marrë edhe Sport Klub në Ballkanin Perëndimor. I kemi dhënë kanalet edhe konkurrencës sonë, kështu që ajo betejë për përmbajtje është përfunduar dhe përdoruesit më në fund mund të shikojnë gjithë sportin“, tha Lluçiq.
Ai shtoi gjithashtu se kjo sjell një çmim shumë më të ulët për përmbajtjen sportive dhe njoftoi se deri në shtator, Arena do të ketë edhe katër kanale sportive të reja.
0 komentet