Makron, Sholc dhe Meloni: Që Kosova dhe Sërbia të dakordësohen shpejt rreth detajeve të dialogut
Presidenti i Francës Emanuel Makron, kancelari i Gjermanisë Olaf Sholc dhe kryeministrja e Italisë Xhorxhia Meloni thanë në deklaratë të përbashkët se presin që Sërbia dhe Kosova të përmbushin detyrimet e tyre në implementimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve e cila nënkupton që Kosova të formojë BKS.
“Përshëndesim angazhimin e dy palëve në bisedimet e djeshme në Bruksel. Marrim parasysh komentet e dy liderëve, Kosovës dhe Sërbisë për Statutin Europian për themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë sërbe në Kosovë dhe gatishmërinë e shprehur për zbatimin e tij” thuhet në deklaratën e publikuar nga qeveria gjermane.
Tre liderët europianë deklarojnë gjithashtu se draft-statuti i BKS, të cilin e mbështesin plotësisht, përfshin në mënyrë moderne europiane për zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira europiane, në kuadër të parametrave të definuara nga të dy palët.
“Për këtë edhe një herë nënvizojmë pritshmëritë tona që palët të përmbushin detyrimet e tyre dhe të implementojnë Marrëveshjen për rrugën e normalizimit. Implementimi duhet të përparojë nga të dyja palët, të cilët i përmbushin detyrimet paralelisht, hap pas hapi, bazuar në themel të principeve që të dyja palët duhet të bëjnë diçka-të marrin diçka”, thonë Makron, Sholc dhe Meloni.
Tani, theksojnë ata, fokusi duhet të jetë progresi drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes, pa parakushte apo vonesa.
“Për të përparuar më shpejt në implementim, i bëjmë thirrje Kosovës që të iniciojë procedurën për themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë sërbe në Kosovë, siç parashihet me draft-statutin, ndërsa Sërbisë t’i përcillet në lidhje me njohjen de-fakto. Formalitetet, përfshirë adoptimin, nuk duhet të ndalen në rrugën e progresit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Për këtë presin që Kosova dhe Sërbia shpejt të dakordësohen rreth detajeve në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian.
“Në mungesë të përparimit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, paralajmëruan Makron, Sholc dhe Meloni.
0 komentet