Milkoviq: Fotot tregojnë qartë se Obrenoviqi është arrestuar para fillimit të konfliktit
Avokati Predrag Milkoviq thotë se fotografitë e publikuara nga RTV Kim tregojnë qartë se klienti i tij Dushan Obrenoviq, i cili u arrestua të hënën në Zveçan, ka protestuar në mënyrë paqësore dhe është tërhequr në kordonin e KFOR-it.
Siç ka njoftuar portali RTV Kim, materiali i regjistruar nga ekipi i tyre të hënën, më 29 maj, pasdite, menjëherë para shpërthimit të trazirave në Zveçan, tregon se Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq janë “zhdukur” pas kordonit të KFOR-it para incidentit, kështu që është e qartë se ata nuk kanë marrë pjesë në të, as nuk kanë mundur të sulmojnë dikë, pasi që më parë kanë qenë të ndaluar.
“Kjo është ajo që i kemi vënë në dukje gjykatës gjatë seancës, se momenti aktual i heqjes së lirisë së klientit tim është momenti që shihet në foto dhe jo siç pretendon prokuroria në orën 23:30. Për më tepër, mund të shihet se klienti im protestoi në mënyrë paqësore dhe se ai është tërhequr nga ushtarët e KFOR-it”, tha Milkoviq për Kosovo Online.
Milkoviq shtoi se videoja është autentike dhe se fotografitë do t'ia përcjellë gjykatës dhe prokurorisë sot.
Fotot e realizuara radhazi në një minutë dhe të publikuara nga RTV Kim tregojnë gjithashtu se si të arrestuarit Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq “zhduken” pas kordonit të KFOR-it.
Me ta pas kordonit u tërhoq edhe një burrë tjetër, i cili më pas u lirua.
Pas shqyrtimit të mëvonshme të materialit të incizuar, RTV Kim konstatoi se në video shihet qartë se Radosh Petroviq po thërret turmën që të qetësohet dhe të ulet, dhe më pas këndon me ta "Kosova është zemra e Serbisë". Më pas kordoni i KFOR-it “hapet” për një moment dhe në të “zhduken” Petroviqi dhe Obradoviqi.
Mbrojtësi i Radosh Petroviqit, avokati Dejan Vasiq, tha se videon dhe fotografitë sot do t'ia përcjellë Prokurorisë Speciale.
“Që sot videon dhe fotot do t'ia përcjell Prokurorisë Speciale për të eliminuar çdo dyshim në lidhje me klientin tim. Nga video shihet qartë se Petroviq është tërhequr në kordonin e KFOR-it nga pozita e ulur para fillimit të trazirave”, tha Vasiq.




komentet