Millojeviq: Autoritetet kosovare po uzurpojnë Postën në Graçanicë, do të luftojmë me të gjitha mjetet juridike

Milojevič Pošta
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Postës së Serbisë në Kosovë, Ivan Millojeviq, deklaroi sot, pas marrjes së objektit të Postës së Serbisë në Graçanicë nga pjesëtarët e Inspektoratit Qendror të mbikëqyrjes dhe Postës së Kosovës, se do të luftojnë me të gjitha mjetet juridike për të dëshmuar se ai i takon Serbisë.

Millojeviq theksoi se sot janë përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë së Kosovës dhe Postës së Kosovës.

„Më 15 ose 17 korrik ata e kanë ndryshuar pronarin në kadastër kosovar, ku ne ishim të regjistruar si Posta e Serbisë – Posta Graçanicë. Në një mënyrë të paligjshme, sot nuk na kanë lejuar as të japim një vërejtje në procesverbal, të paraqesim deklaratat e vërteta për të cilat kemi dëshmi se këtë postë e kemi ndërtuar vetë prej vitit 2004 e tutje“, tha ai.

Ai shtoi se autoritetet kosovare kanë krijuar mbulesë ligjore për këtë proces që sot e kanë përfunduar.

„E filluan me mbylljen e përkohshme. U duhej vetëm kohë, të cilën e blenë për të bërë dokumentet“, u shpreh Millojeviq.

Duke kujtuar se mbyllja e postave nuk është vetëm në Graçanicë, ai përmendi se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Shtërpcë, Leposaviq...

„Ne serbët nga Kosova jemi dëbuar nga qytetet, posta ka punuar 25 vjet nëpër fshatra, në shtëpi private, dhe këtë pak që e kemi ndërtuar sot na e marrin. Ndërtesat, ish-postat e përbashkëta, kanë mbetur në qytete – tek ata. Dhe as kjo nuk u mjafton. Tani duhet të vijnë këtu para zgjedhjeve të shpallin konkurs me gjasë, për të ndarë edhe më shumë, për të hutuar e frikësuar popullin serb. Por, mesazhi im është se ne do të luftojmë me të gjitha mjetet juridike për ta dëshmuar këtë në gjykatë, por e dini vetë si është kur vetë Ali, vetë kadi“, përfundoi Millojeviq.