Pahor për Kosovo online: Dialogu ka ngecur, ofroj planin tim për të rikthyer besimin
Ish-presidenti slloven Borut Pahor, i cili mund të zëvendësojë Mirosllav Llajçakun në pozitën e të dërguarit të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, tha për Kosovo online se dialogu ka ngecur për shkak të mungesës së besimit, dhe se ai ofron planin e tij se si të rivendoset ai besim dhe të vazhdojë dialogu.
I pyetur se çfarë do të ndryshojë në dialog dhe ku e sheh zgjidhjen, Pahor është përgjigjur se nuk mund ta thotë këtë tani, por se është i interesuar për postin e të dërguarit special të BE-së.
“Këtë nuk mund ta them tani, derisa të fillojë procesi, kam vendosur të shkoj në atë proces dhe pastaj, nëse e pranojnë atë vendim, do të them dhe do të ofroj të gjitha referencat e mia, do të jap planin tim. Dialogu është në ngecje, ka mungesë besimi dhe duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, tha Pahor.
Ai vuri në dukje se pa përparim në dialog, as Kosova e as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë për një të ardhme më të sigurt.
I pyetur nëse është e mundur që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë në BE në vitin 2030, ai pranon se ndoshta nuk është e mundur, por që pa optimizëm, viti 2050 nuk do të jetë as një vit real.
“Optimizmi ka ekzistuar në 2004, nuk ekziston sot. Prezantimi im në takim, kur thashë për vitin 2030, nuk u prit me duartrokitje, sepse askush nuk beson se as BE dhe as vendet e rajonit nuk do të jenë gati në vitin 2030. Por nëse vazhdojmë kështu, rajoni nuk do të jetë në BE as në vitin 2050. Dhe koha po ikën”, theksoi Pahor në Lubjanë, ku Instituti i tij “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” organizoi takimin “Ballkani Perëndimor në BE”.
Për shkak të të gjitha sfidave gjeopolitike, si lufta në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme, paqja duhet të ruhet, tha ai.
"Le të mos bëjmë shaka. Jemi përgjegjës për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së njerëzve në këtë pjesë të Evropës. Vetëm zgjerimi i Bashkimit Evropian është një garanci e qëndrueshme e paqes dhe sigurisë", përfundoi Pahor.
komentet