Petkoviq: Deklarata e Gervallës se BKS ka vdekur tregon thelbin e politikës militante të Kurtit ndaj serbëve
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, ka vlerësuar se deklarata e fundit e Donika Gërvallës se Bashkësia e Komunave Serbe ka vdekur tregon thelbin e politikës militante të Kurtit ndaj serbëve.
“Si është që për Kurtin ka vdekur Marrëveshja e Brukselit, por nuk ka vdekur ideja fashiste e Shqipërisë së madhe. Kjo qasje e Prishtinës është çështje ekskluzivisht e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, sepse është e qartë si dita se Kurti është burimi i të gjitha problemeve në Kosovë, sepse ai thotë se dialogu ka vdekur. Politikanët e Prishtinës me këmbëngulje refuzojnë të kuptojnë se Bashkësia e Komunave Serbe nuk është temë për ushtrime dhe diskutime retorike, por se është një obligim të qartë dhe pa ekuivoke që Prishtina e mori në dialogun me Beogradin”, tha Petkoviq.
Ai ka vlerësuar se Prishtina qëllimisht ka krijuar pengesa për zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit.
“Le t'i largojë vetë, sepse procesi i dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve nuk mund të përparojë nëse politikanët e Prishtinës me kokëfortësi vazhdojnë të refuzojnë të zbatojnë atë që është nënshkruar dhe në të njëjtën kohë të mburren me mungesën e besueshmërisë së tyre. Donika Gërvalla Shvarc përpiqet të shpjegojë se Bashkësia e Komunave Serbe është një lloj trillimi, jo nevojë urgjente e një populli të rrezikuar, megjithëse dhuna e përditshme e regjimit të Kurtit konfirmon se krijimi i një mekanizmi efektiv politik dhe institucional mbrojtës është kusht për mbijetesën e popullit serb dhe mbrojtja e të drejtave të tij kolektive. Bashkësia e Komunave Serbe nuk është një koncept i shekullit të nëntëmbëdhjetë, siç pretendon Gërvalla Shvarc, por politika e Kurtit për nënshtrimin e serbëve dhe imponimin e dominimit absolut shqiptar në Kosovë e Metohi është diçka që i përket epokave më të errëta historike”, tha Petkoviq.
Bashkësia e Komunave Serbe, shtoi ai, duhet të formohet me të gjitha kompetencat që i takojnë sipas dokumenteve të dakorduara me ndërmjetësimin e BE-së.
"Sa më shpejt kokat e ndezura në Prishtinë ta pranojnë këtë fakt, aq më shpejt do të jemi në gjendje të vazhdojmë një dialog produktiv - dhe dialogu dhe kompromisi janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet dekadash dhe shekullore midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë e Metohi”, ka përfunduar Petkoviq.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, paraprakisht ka deklaruar se Bashkësia e Komunave Serbe është një propozim i vdekur dhe nuk mund të ringjallet.
komentet