Vuçiq: Kurti kërkon konflikt me Sërbinë dhe NATO-n, argumentet racionale nuk po ecin, ua kam thënë se çfarë është e papranueshme
Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë mbrëmjen e sotme se situata sot është më e rëndë se ndonjëherë në lidhje me Kosovën pasi mbretëron një nervozizëm i madh sepse Europa “de facto” është në luftë dhe në kopështin e tyre ata dëshirojnë të jetë siç ata duan.
Duke i’u drejtuar qytetarëve, Vuçiq ka sqaruar se të gjithë kanë pasur mundësinë gjatë ditëve të kaluara të shohin versionin fillestar i cili nuk ka shumë ndryshim nga tjetri. Në media të ndryshme i ashtuquajturi plani franko-gjerman nuk është më i tillë.
"Druaj se askush nuk ka dashur të flasë për kontekstin, rrethanat dhe me çfarë po ndeshet Sërbia. Kur shikon ndonjë letër, është e lehtë të gjesh dhe më shumë se e njëanshme të gjesh kundërshtime të panumërta. Në këtë letër nuk është e lehtë të gjesh ndonjë gjë për t’u ngazëllyer. Përkundrazi”, ka sqaruar ai.
Nervozizëm i madh Europa de fakto është në luftë
Vuçiq ka thënë se ka qenë pjesmarrës në shumë biseda për Kosovën por i fundit për të ka qenë më i vështiri.
“Asnjëherë nuk është dukur kështu. Pyetja që shtrohet përse, çfarë është kjo që bën diferencën sot. Fakti është se rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar. Ka nervozizëm të madh, Evropa është de fakto në luftë, çfarëdo që të thonë. Nuk ka asnjë tolerancë për asnjë lloj kërcimi në kuptimin politik. E dëshirojnë në oborrin e shtëpisë së tyre, por Ballkani Perëndimor dhe Sërbia janë oborri i tyre dhe duan që gjithçka të jetë atje siç duan ata", sqaron ai.
Presidenti Vuçiq u shpreh se përgjigja rreth pyetjes se çfarë kontribuoi në qasjen e mprehtë dhe dozën urgjente të zyrtarëve evropianë mbështetur prej Uashingtonit në atë të kontekstit rajonal-evropian pas shpërthimit të konfliktit ruso-ukrainas, kjo u shndërrua në një prej problemeve madhore për Sërbinë.
“Para së gjithash, sepse jemi në radarin e të gjithëve, sepse nuk kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë, si dhe për shkak të incidenteve të vazhdueshme të shkaktuara prej regjimit të Kurtit, duke dashur të na provokojë për të hyrë në konflikt ku më pas Sërbia do të jetë fajtore“ ka thënë Vuçiq.
Ky i fundit ka shtuar se në kohën e Kurtit, janë shënuar 288 incidente dhe vetëm këtë vit të saponisur 10 incidente të rënda, prej të cilëve incidenti i sotëm me plagosjen e Miljan Deleviqit të cilit i uroj shërim të shpejtë.
"Kërkojnë konflikt sepse dëshirojnë që NATO të hyjë në përplasje me Sërbinë, që Kurti të shmangë detyrimet për formimin e BKS. Kjo është e gjitha një taktikë“ ka thënë Vuçiq.
Për ta ne jemi fajtorë
Presidenti ka theksuar se Beogradi ka treguar përditë se sërbët nuk u është lejuar të votojnë në zgjedhje, në referendum, si dhe janë qëlluar fëmijët sërbë për shkak të pemës së Krishtlindjes.
Por e gjitha kjo, tha ai, nuk mund të ndryshojë faktin që të gjithë të huajt u mërzitën më shumë për Rada Trajkoviqin e cila qëndroi e ulur në karrike për dy orë, sesa plagosja e fëmijëve. “Duhet të kuptojmë se ata që dënojnë Sërbinë edhe për barrikadat, nuk donin të dëgjonin përse sërbët e Kosovës e Metohisë e bërën këtë gjë. Ne për ta jemi fajtorë sepse barrikadat shkaktuan destabilitet dhe aspak arrestimi i sërbëve, keqtrajtimi, ngacmimi dhe marrja e të drejtave të tyre. Ky është vizioni i tyre“, ka thënë Vuçiq.
Presidenti i Sërbisë ka theksuar se në bisedimet me përfaqësuesit e fuqive të mëdha, vuri re se askush nuk dëshironte t’a dëgjonte sepse kishin axhendën e tyre dhe kjo është humbja e Rusisë dhe në këtë axhendë gjithçka që del para duhet spastruar.
Vuçiq tha se atë e brengos më shumë fakti se nuk egziston asnjë qasje racionale për të zgjidhur problemin.
"Këtë e kam vënë re me përfaqësuesit e fuqive të mëdha. Gjithçka që unë flisja të mbështetur në fakte, letra të cilat ua bëra prezente, kuptova se koha e arsyes kishte skaduar. Askush nuk dëshironte të më dëgjonte dhe jo vetëm mua por askënd prej nesh. Kishin axhendën e tyre dhe kjo është humbja e Rusisë dhe në këtë axhendë gjithçka që del para, spastrohet menjëherë” ka sqaruar Vuçiq.
Argumentet racionale nuk ecin më
Vuçiq thekson se kur ka thënë se në fillim duhet të formohet Bashkësia e Komunave Sërbe sepse kjo është diçka që i përket marrëveshjes së Brukselit por që ende nuk është përmbushur për 10 vjet, ata i kanë thënë atij se "shiko, kjo nuk është realiste”.
"Nuk është realiste, ju jeni zotuar ta çoni këtë deri në fund dhe njëra palë nuk do ta ndjekë. Atëherë ju shikoni se asnjë argument objektiv, racional nuk kalon më. Dhe kur flas për këtë, flas sepse e di se çfarë do të ndodhë” ka thënë ai.
Vuçiq thekson se Sërbia dëshiron kompromis, bisedime, dialog.
"Dëshirojmë të tregojmë qasje konstruktive. Të dyja palët duhet të bëjnë lëshime, e kuptojmë këtë, por problemi është kur shikon që njëra palë mund të bëjë çfarë të dojë dhe të shpërblehet për këtë. Të gjitha veprimet e regjimit të Kurtit kanë qenë të njëanshme dhe për këtë u shpërblyen me heqjen e vizave, pranim të kërkesave për në BE dhe pranim në Këshillin e Evropës. Ata u shpërblyen për gjithçka nga të njëjtat shtete, duke na thënë gjatë gjithë kohës se problemi është Kurti, por në media dhe dokumente të tyre gjithmonë fajësojnë Sërbinë“ ka thënë ai.
Vuçiq ka deklaruar se Sërbia nuk ka marrë pjesë në krijimin e planit për Kosovën në asnjë mënyrë dhe askush rreth kësaj nuk ka pasur konsultime për asgjë, por ai plan qëndron në letër.
“Sërbia e pafajshme nuk i ka bërë asgjë askujt, asnjë shqiptar nuk është qëlluar, nuk kemi sulmuar askënd, nuk i kemi bërë asgjë askujt“ ka thënë Vuçiq.
Ai tha se ata erdhën, treguan planin dhe më pas më 13 dhjetor të gjitha vendet anëtare e pranuan madje pesë shtete që nuk e njohin Kosovën e pranuan, sepse atyre i‘u “speguan” se nuk ka njohje eksplicite të pavarësisë së Kosovës.
“Edhe pse e fshehën faktin se ekziston një detyrim i nënkuptuar për të mos kundërshtuar hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, ata e pranuan dhe kështu ai plan u bë de facto, ndonëse ende nuk është formal, por de facto u bë kornizë e re negociuese për Sërbinë”, tha Vuçiq.
Ky i fundit spegon se nuk ka avancim për vendin tonë nëse nuk punojmë në Evropë, as nuk mund të bëhet diçka nëse nuk bashkëpunojmë në këtë çështje.
Lista e masave kërcënuese
"Pesëshja mbërriti me një kornizë të re bisedimesh për planin franko-gjerman dhe me fjalë të tjera më thanë se duhet ta pranojmë sepse nëse nuk e pranojmë do të ketë masa të caktuara. Kjo nënkupton: ndërprerjen e procesit të integrimit europian; ndalimin, e më pas tërheqjen e investimeve, thithëfarëlloj masash politike dhe ekonomike që do të zhysnin Sërbinë", ka thënë presidenti Vuçiq.
Ky i fundit ka shtuar se këto kërcënime janë përsëritur tre herë gjatë bisedimeve dhe sa herë që ripërsëriteshin, ai ka reaguar fort.
Vuçiq thekson se të gjitha vendet anëtare të BE e kanë pranuar këtë plan përfshirë edhe pesë vendet të cilat nuk e njohin Kosovën pasi atyre u është speguar se në këtë plan, nuk parashikohet njohja.
Vuçiq thekson se ky plan prezantohet si kornizë bisedimesh në kuadrin e anëtarësimit të Sërbisë në BE.
„Që të mos më thoni se Sërbia pranoi diçka që nuk është, po e them qartë atë që është e papranueshme për Sërbinë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se do të marrë mbi vete peshën e vendimeve të mëtejshme por gjithashtu theksoi se negociatat me Prishtinën duhet të vazhdojnë dhe se duhet të gjenden sa më shumë zgjidhje kompromisi.
“Ne nuk mund të përgatitemi për hyrjen e tyre në Këshillin e Evropës dhe NATO çka u përmend edhe në takim. Kam thënë se nuk do të marrin duartrokitje për diçka të tillë”, tha presidenti i Sërbisë.
Mund të bisedojmë për ngritjen e nivelit të besimit mes nesh dhe shqiptarëve dhe sesi të ndërtojmë një pozicion për një paqe afatgjatë me shqiptarët, theksoi Vuçiq.
Një bisedë e nevojshme brenda shoqërisë
Vuçiq thotë se me „pesëshen perëndimore“ udhëhoqi një diskutim shumë të vështirë dhe të tensionuar, duke shtuar se është i shqetësuar sepse egziston një gjë, dhe të gjithë, thotë ai, e dinë se për çfarë po flet, për të cilën u shpreh me shumë shqetësim dhe rezerva, sepse e kuptoi që nuk do të tërhiqej.
“E patë që e lashë takimin në gjysmë shoku, sepse kuptova se asgjë nuk është më e rëndësishme, asnjë argument, pasi askush nuk dëshiron të na dëgjojë. Me këtë do të duhet të përballemi”, tha Vuçiq.
Për këtë duhet të nisë një bisedë brenda shoqërisë, tha presidenti i Sërbisë.
"A do të isha në gjendje të thosha në një moment-përjashta, nuk ka më bisedë? Mundesha, por nëse njerëzit do të mësonin se cilat do të ishin pasojat. Dhe ato do të ishin heqja e regjimit të vizave për në BE për të cilën të gjithë do të më akuzonin mua dhe qeverinë, ndonëse askush prej nesh nuk është fajtor edhe pse asnjëri prej nesh 'nuk hëngri qepë dhe as nuk i mori erën” veçse po luftojmë me gjithë zemër sa të mundemi për Kosovën e Metohinë”, theksoi Vuçiq.
Ky i fundit paralajmëroi se një pasojë tjetër do të ishte mungesa dhe tërheqja e investimeve nga Sërbia.
“Pyes të gjithë njerëzit e zgjuar që shoh përditë nëpër media edhe ato kombëtare, të cilët janë të papërgjegjshëm dhe që na thonë çdo ditë se investitorët nuk do të ikin, se kanë një kalkulim, sepse këtu po përfitojnë. Epo, nga Rusia 99% e kompanive janë larguar për 15 ditë”, tha Vuçiq.
Sërbia duhet të marrë pjesë në bisedime për të vijuar rrugën europiane
Ai pyeti ndërkohë sesi do të dukej Sërbia pa investime të huaja dhe nëse do të qëndronte në këmbë.
“Sot kemi 8.2 miliardë euro shkëmbim tregtar me Gjermaninë në nivel vjetor dhe kur u bëra kryeministër ishin pak më shumë se dy miliardë. Dhe këtë e përdorim për paga dhe pensione. Për të mos thënë se çfarë do të thotë për ne nëse vendi është i izoluar“, ka thënë Vuçiq.
Ky i fundit ka theksuar se Sërbia duhet të bisedojë dhe të marrë pjesë në dialog për të vijuar rrugën europiane.
"Jo sepse e admiroj hipokrizinë e tyre në lidhje me respektimin e Kartës së OKB dhe Rezolutës 1244, por sepse do të ishim të vetmuar politikisht dhe ekonomikisht pa të. Dhe unë nuk do të pranoja ta drejtoja vendin në një mënyrë të tillë", tha Vuçiq duke shtuar se ka në plan të punohet shumë më fort në të ardhmen, të bisedojmë me shqiptarët, evropianët, për të gjitha çështjet.
Vuçiq ftoi popullin sërb t'i besojë lidershipit shtetëror.
“Asgjë nuk kemi nënshkruar, jemi përballur vetëm me fakte, por duhet të kuptojmë se është e rëndësishme të përpiqemi të gjejmë një kompromis”, tha Vuçiq.
Ky i fundit tha se asgjë nuk do të ndodhë as sot as për një apo tre muaj dhe kur të qartësohen kërkesat përfundimtare, mbi to do të vendosi kuvendi, qytetarët e ndoshta dhe institucione të tjera.
"Dhe, për ata patriotë të mëdhenj gjasmë të shqetësuar dhe dhurues vullnetarë të gjakut të të tjerëve, më lejoni t'u them se isha mjaft i fortë për të thënë përballë pesëshes së madhe se çfarë do të marr mbi vete dhe çfarë rezervash shpreha” ka thënë Vuçiq.
Do të respektoj Kushtetutën e Sërbisë
Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq tha se nuk egziston në planin franko-gjerman që Kosova të pranohet në NATO dhe Këshillin e Europës, sepse kështu i‘u tha në takimin me të dërguarit ndërkombëtarë.
Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse plani e përmend si mundësi hyrjen e Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës, si dhe hyrjen në OKB, pavarësisht se çfarë më thanë, ai nënvizoi se në plan nuk përmendet.
“Kjo nuk përmendet, as anëtarësimi në OKB, përveçse thuhet se nuk do t'i pengojmë të hyjnë në organizatat ndërkombëtare, ne nuk mund ta pengojmë Kosovën të hyjë në Këshillin e Evropës, sepse atje nuk kemi shumicë por do të luftojmë. Nuk mund ta pengojmë hyrjen në NATO sepse nuk jemi anëtare. Nuk thotë asgjë për të gjitha këto, por vetëm kaq më thanë", tha ai.
Sa i përket OKB ai tha se ishte një histori tjetër.
"Kjo do të thotë se do të shqetësohem shumë për këtë. Dhe kur them se do të shetësohem, do të thotë se do të respektoj Kushtetutën e Sërbisë", tha Vuçiq.
Ai ua drejtoi pyetjen kritikëve se cila është politika e tyre përveçse thonë se është tradhtar i madh, ndonëse nuk është plani i tij, ai nuk ka marrë pjesë në hartimin e tij.
Vuçiq nuk ka bërë asgjë këtu, as të mirë e as të keqe, përveçse ka pasur biseda të tmerrshme”, ka theksuar ai.
Ai theksoi se ata që e sulmojnë duhet të shkojnë një natë në Kaçanik dhe t'u tregojnë njerëzve se sa e duan atë, në vend që të bëjnë ski në Slloveni dhe të udhëtojnë.
“Si mund të tradhtoj diçka që ju ua servirët në pjatë në vitin 2008 dhe arrita ta rikthej në qendër të vëmendjes së opinionit europian dhe botëror”, tha ai duke i’u përgjigjur pretendimeve se ishte tradhtar.
Në lidhje me këtë, ai përmendi edhe pretendimet se më 3 prill të vitit të kaluar do të vendoste sanksione kundër Rusisë dhe këtë nuk e bëri për më shumë se 330 ditë.
Jam ushtar i shtetit
Vuçiq theksoi se është ushtar i shtetit edhe nëse do të jetë e nevojshme që në çdo mënyrë të mbrojë shtetin dhe të përfitojë kohë për këtë.
"Nuk mendoj se kushdo njeri është shumë i rëndësishëm për një vend. Jemi të gjithë të vdekshëm dhe e dimë se cilën periudhë do të zgjedhim. Ky është mandati im i fundit. E di se cila është detyra ime dhe nëse ka nevojë. për të shpëtuar vendin në çfarëdo mënyre dhe për të përfituar kohë, nuk do të ikja nga ajo sepse nuk ka ardhur momenti, por këtë nuk e kam problem”, tha Vuçiq, duke i’u përgjigjur pyetjes se a është dorëheqja e tij opsion.
Vuçiq theksoi se disa po e nisin nga vetja kur thonë se “pushteti është gjithçka për Vuçiqin”, duke theksuar se për dallim prej tyre, ai nuk ka miliona dhe pasuri të paluajtshme, por jeton për shtetin dhe është ushtar i tij.
“Do të bëj atë që është në interes të shtetit në një moment të caktuar. Nuk kam asnjë problem me këtë”, theksoi ai.
Ai tregoi se është i shqetësuar dhe i frikësuar se situata në Ukrainë do të vazhdojë të përkeqësohet dhe se konfliktet do të zgjerohen.
“Vetëm do të vazhdojnë të shtrihen. Nuk është vetëm Rusi-Ukrainë dhe një ndihmë e vogël, por po zgjerohet. Së shpejti do të përhapet edhe në territore të tjera dhe na takon mos të përhapet në territoret tona. Në të tilla kushte, kërkesa të tilla vetëm do të vendosen më fort dhe më ashpër para Sërbisë”, theksoi ai.
Ai tha se Sërbia po përballet me një periudhë të vështirë.
"Nuk ka dyshim se lufta në Ukrainë na solli një fatkeqësi të madhe, dhe mbi të gjitha kur flasim për rajonin tonë, ata udhëhiqen nga ajo që po ndodh në Ukrainë. Megjithatë, mendoj se pyetja është se çfarë mund të ofrojnë, sepse ata kur unë u përballa për dy ditë, ishte zhdëpje në dru”, ka theksuar ai në lidhje me shkrimin e Frankfurter Allgemeine Zeitung se BE nuk ka çfarë t'i ofrojë Beogradit dhe Prishtinës.
Ata erdhën me shkop, por...
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se duhet të jetë i drejtë dhe të thotë se BE është investitori dhe donatori më i madh në Sërbi dhe rajon.
"Ne do të marrim një grant prej 600 milionë eurosh nga BE për linjëne shpejtë hekurudhore Beograd-Nish. Autostrada jonë është plot dhe do të jetë gjithnjë e më e mbushur, kështu që shpëtimi do të jetë treni" shtoi ai.
Vuçiq tha se “erdhën me shkop”, por se beson se do të ketë lajme gjithnjë e më të mira në të ardhmen.
“Kam kërkuar gjëra të ndryshme ndihmë dhe mbështetje prej BE”, shtoi ai.
Në fund ai ka përshëndetur veçanërisht popullin sërb në Kosovë, duke thënë se ata i ruajnë vatrat e tyre dhe se kanë besim tek ai dhe shteti.
“Nuk është vetëm çështja se ku ndodheni dhe sa burime natyrore keni, por si është lidershipi shtetëror”, nënvizoi Vuçiq.
0 komentet