Petkoviq i drejtoi Hovenierit: E dimë shumë mirë se ku janë kufijtë në Kosovë dhe në përputhje me Kartën e OKB-së, ata janë kufijtë e Serbisë
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, i është përgjigjur sonte në mbrëmje ambasadorit të SHBA-ve në Prishtinë, Xhefri Hovenier, duke thënë se Serbia e di shumë mirë se ku janë kufijtë në Kosovë, ata janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244.
“E dimë shumë mirë ambasador se ku janë kufijtë në Kosovë dhe Metohi, ata janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244. Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb që mbrojnë interesat kombëtare të popullit të tyre në Kosovë dhe Metohi, jo ambasadat e huaja”, ka shkruar ai në Tviter.
Hovenier tha sot se SHBA-të e dinë se ku janë kufijtë e Kosovës dhe se këtu përfshihet edhe veriu.
“Ne i dimë saktësisht kufijtë e Kosovës dhe këtu përfshihet edhe veriu i Kosovës, siç e kam thënë shumë herë. Ne e dimë saktësisht se ku është linja. Është në veri të Mitrovicës. Dëshirojmë që Lista Serbe të luajë rolin e saj si parti politike në një Kosovë sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë parti të serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta sqarojmë këtë”, tha Hovenier.
0 komentet