Petkoviq: Kurti arreston serbët e pafajshëm, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Radoshit dhe Dushanit
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, theksoi se fotografitë dhe videot dëshmojnë se Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq janë arrestuar para fillimit të trazirave në Zveçan, dhe se është e qartë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po persekuton dhe arreston serbët të pafajshëm.
Petkoviq ka thënë në Twitter se ka kaluar një javë që kur policia e Kosovës ka “rrëmbyer” Petroviqin dhe Obrenoviqin, ndonëse nga fotot shihet se ata ishin ulur të qetë në momentin e arrestimit.
“Sot bëhet një javë që kur policia e Kurtit ka rrëmbyer Radosh Petroviqin dhe Dushan Obrenoviqin, të cilët ishin ulur të qetë para komunës së Zveçanit. Fotot dhe videot e bëra atë ditë dëshmojnë qartë se Radoshi dhe Dushani janë arrestuar para çdo trazire në Zveçan”, tha Petkoviq.
Petkoviq pyeti të dërguarin e BE-së Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesit e institucioneve evropiane në Kosovë nëse kishin parë prova të qarta dhe kërkoi një reagim të menjëhershëm dhe lirimin e Petroviqit dhe Obrenoviqit.
"Është e qartë se Kurti po arreston dhe persekuton serbët e pafajshëm. A e kanë parë këtë dëshmi të qartë Miroslav Lajçak, shefi i misionit të OSBE-së Majkll Davenport, shefi i misionit EULEX Lars Gunar Vigemark dhe UNMIK? Ne kërkojmë reagim të menjëhershëm dhe lirim të serbëve të pafajshëm Radoshi dhe Dushani”, ka shtuar Petkoviq dhe ka publikuar edhe një video nga momenti i arrestimit të dy serbëve.
komentet