Petkoviq: Kurti kërcënon hapur serbët dhe mohon drejtpërdrejt kuptimin e dialogut
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar edhe një herë “fytyrën e një udhëheqsi lufte” dhe ka bërë kërcënimin më të hapur ndaj serbëve në Kosovë.
Petkoviq, lidhur me deklaratën e Kurtit se në vitin e ardhshëm do të punësojë edhe 500 policë dhe 600 pjesëtarë të FSK dhe se askush nuk do t'i ndalë as në jug e as në veri, tha se forcat shtesë policore dhe paraushtarake që Kurti synon ti punësoj nuk shërben për të penguar as një lloj kërcënimi të jashtme, sepse një kërcënim i tillë nuk ekziston.
Siç ka thënë Petkoviq në njoftim, “bëhet fjalë për forcimin e formacioneve për frikësimin dhe terrorizimin e popullatës serbe në Kosovë me qëllim të vazhdimit të spastrimit etnik të serbëve nga Kurti”.
“Duke shpallur se ai dhe ekspedita e tij ndëshkuese “nuk do të mund të ndalen as në jug as në veri”, Kurti i përcakton qartë serbët si armiq që duhet të sulmohen me forcë dhe me armë”, theksoi Petkoviq.
Ai shtoi se edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit, njësitë speciale dhe FSK nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonat serbe.
“Edhe një herë theksojmë se policia speciale e Kurtit, e veçanërisht formacioni paraushtarak “FSK”, nuk ka çfarë të kërkojë në zonat me shumicë serbe, sepse serbët sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe sipas parimeve për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, si dhe garancitë ndërkombëtare, janë kompetente të kujdesen për rendin dhe sigurinë aty ku jetojnë”, theksoi Petkoviq.
Sipas tij, ky nuk është vetëm një nga kërcënimet e shumta të Kurtit.
“Ky tashmë është mohimi më i drejtpërdrejtë i vetë kuptimit të dialogut, dhe është e qartë se ai nuk mendon për bashkëjetesë dhe besim ndëretnik, sepse plani i tij është një “Kosovë” monoetnike dhe forcimi i policisë dhe FSK është një mjet për të arritur këtë qëllim”, tha Petkoviq.
Ai ka theksuar se gjendja e keqe ekonomike në Kosovë nuk mund të zgjidhet duke u dhënë armë të rinjve shqiptarë.
“Përveç kërcënimit të qartë për stabilitetin e rajonit, militarizimi i Kurtit është edhe simptomë e paqëndrueshmërisë ekonomike të të vetëshpallurës “Kosovë”, sepse problemet sociale nuk mund të zgjidhen duke vënë armët në duart e të rinjve shqiptarë të papunë, por duke ndërtuar ekonominë”, tha Petkoviq.
Ai shtoi se hapi i parë drejt normalizimit është frenimi i Kurtit.
“Për ata që nuk e kishin të qartë deri më tani, sot mendoj se është e qartë se hapi i parë dhe më i rëndësishëm drejt një rajoni paqësor dhe të qëndrueshëm është frenimi e vendosur i Albin Kurtit dhe politikës së tij luftarake”, përfundoi Petkoviq në njoftim.
0 komentet