Petkoviq me Bocan-Harçenkon: Me promovimin e idesë së "Shqipërisë së Madhe" Kurti kërcënon sërbët dhe mbarë rajonin
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi Petar Petkoviq ka biseduar sot me ambasadorin e Rusisë në Sërbi Aleksandër Bocan-Harçenkon rreth situatës së sigurisë politike në Kosovë dhe për problemet me të cilat përballet populli sërb në këtë territor.
Siç bëhet e ditur në deklaratën e Zyrës për K&M, Petkoviq në fillim të bisedës ka theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme se në raundin e fundit të bisedimeve në nivel teknik mes Beogradit dhe Prishtinës i cili u mbajt së fundi në Bruksel, u bisedua edhe rreth punës së statutit të Bashkësisë së Komunave Sërbe si hapi i parë konkret në drejtim të formimit të BKS të cilën populli sërb në Kosovë e pret prej më shumë se 10 vitesh.
Petkoviq ka shtuar se i është theksuar ambasadorit “pozicioni i vështirë i popullit sërb në krahinë, i cili me lëvizje të përshkallëzuara të dhunshme dhe të njëanshme përditë kërcënohet nga Albin Kurti dhe qeveria e tij në Prishtinë”.
“Sërbëve përditë u shkelen të drejtat elementare humane e qytetare në Kosovë e Metohi, u pengohet votimi në zgjedhjet për deputetë më 17 dhjetor, arrestohen pa arsye dhe mbahen në qelitë e burgut për muaj tëra, ndërsa politika e terrorit e Kurtit kërcënon direkt stabilitetin e ndërtuar ndër vite në terren. Njëkohësisht Kurti në çdo mënyrë tenton që të mbajë kryekomunarët e tij falsë në pushtet në katër komuna në veri të Kosovës dhe përmes tyre shtyp popullin sërb” ka thënë Petkoviq.
Ky i fundit për Kosovën dhe Metohinë, vlerësoi se duke promovuar idenë e “Shqipërisë së Madhe” dhe mesazhin se sot FSK është pasardhëse direkte e organizatës terroriste të UÇK, Kurti kërcënoi direkt mbarë gjithë popullin sërb në Kosovë, por të tilla ide shqiptaromadhe po shndërrohen në kërcënime për stabilitetin e mbarë rajonit.
“Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi theksoi se përkundër lëvizjeve të papërgjegjshme të Kurtit, Beogradi do të vijojë të ruajë me përkushtim dhe të ofrojë pajtueshmëri për dialogun si e vetmja rrugë e qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën. Në fund të bisedës Petkoviq falënderoi ambasadorin rus dhe vendin e tij për mbështetjen e vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Sërbisë”, thuhet në njoftim.
0 komentet