Petkoviq: Përpjekja për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje është dëshmi e frikës së Kurtit nga debakli
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, theksoi se goditja e re e kryeministrit të Kosovës në mandat teknik, Albin Kurti, ndaj Listës Serbe dhe përpjekja e tij për t’i ndaluar asaj pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, është dëshmi e nervozizmit dhe frikës së tij nga debakli përfundimtar në votimin e 28 dhjetorit.
“Siç kemi theksuar disa herë, Kurti nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve të tij përveç urrejtjes së hapur ndaj gjithçkaje që është serbe, ai nuk ka asnjë program ekonomik, prandaj hedh hapa të rinj të dëshpëruar që të mbahet artificialisht në pushtet”, tha Petkoviq.
Petkoviq theksoi se Kurti po përpiqet me forcë ta fusë Nenad Rashiqin në parlamentin e Kosovës, edhe pse, siç tha ai, populli serb nuk e dëshiron atë.
“Për më tepër, duke u përpjekur t’ia ndalojë Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje, Kurti dëshiron me forcë ta shtyjë sërish përpara të preferuarin e tij, Nenad Rashiqin, në të ashtuquajturin parlament në Prishtinë, sepse e di mirë që populli serb nuk e do dhe se ai nuk përfaqëson askënd tjetër veçse pushtetin antiserb nga Prishtina”, tha Petkoviq.
Siç thotë, ky është tentimi i tretë brenda një viti që Kurti të bëjë gjithçka për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.
“Arsyeja është se Lista Serbe është e vetmja që lufton për interesat e popullit serb dhe paraqet një pengesë ndaj ëndrrës së Kurtit për një Kosovë dhe Metohi etnikisht të pastër. Megjithatë, një gjë është e sigurt, dhe këtë mësim duhet ta mbajë mend mirë edhe Kurti – ndaj çdo goditjeje kundër popullit tonë dhe Listës Serbe, serbët do të përgjigjen më 28 dhjetor me edhe më shumë unitet dhe harmoni”, përfundon drejtori i Zyrës për KeM.
0 komentet