Petkoviq: Prishtina dëshiron të legalizojë sekuestrimin e tokës serbe me ligjin e ri për shpronësim
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq, ka vlerësuar se autoritetet në Prishtinë, në krye me Albin Kurtin, kanë nisur procedurën për miratimin e ligjit të ri për shpronësime me qëllim të destabilizimit të ri në terren.
Petkoviq në një komunikatë ka thënë se me këtë ligj, Prishtina fjalë për fjalë dëshiron të legalizojë sekuestrimin e tokës serbe në veri të Kosovës dhe të ndërtojë të ashtuquajturat bazat e saj ushtarake dhe policore.
“Me ligjin e ri të përgatitur nga Prishtina, fjalë për fjalë, çdo objekt apo vend serb ku Kurti tregon gishtin, autoritetet në Prishtinë mund të deklarojnë si “interes publik” dhe të ndërtojnë baza ilegale policore dhe ushtarake për njësitë e tyre speciale në atë vend”, tha Petkoviq në komunikatë.
Drejtori i Zyrës qeveritare thotë se këtë e tregon konkretisht neni 7, paragrafi 2.3.14, i cili fjalë për fjalë thotë:
"Interesi legjitim publik i referohet objekteve, terreneve stërvitore, kazermave, linjave të telekomunikacionit për ushtrinë, policinë dhe autoritetet e tjera të sigurisë shtetërore dhe kombëtare, duke përfshirë zonat e sigurisë përreth tyre".
Siç shton ai, nuk ka dyshim se kjo është një përpjekje e re për të marrë tokën serbe, të cilën Prishtina po përpiqet ta legalizojë sipas ligjeve të veta për hir të interesave të okupimit.
Ai theksoi se është gjithashtu e qartë se qëllimi i Prishtinës është që me këtë dhunë legale të merret brutalisht me popullin serb, i cili me qetësi, por me vendosmëri i tha jo okupimit dhe plaçkitjes.
“Prishtina angazhoi të ashtuquajturën Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të hartuar në fshehtësi një ligj të ri për shpronësim. Ajo që është veçanërisht indikative është se për atë dokument është organizuar gjoja seancë publike, e cila është realizuar me dërgimin e emaileve, larg syrit të publikut dhe sot skadon afati për dorëzimin e komenteve për dokumentin e propozuar”, ka thënë Petkoviq.
Sipas fjalëve të tij, Zyra për Kosovë e Metohi, së bashku me përfaqësuesit e saj në terren, ekipet juridike dhe sektorin joqeveritar, do të vazhdojnë luftën ligjore për mbrojtjen e interesave dhe pronësinë e popullit serb në krahinë dhe do t'u drejtohen të gjitha misioneve ndërkombëtare dhe BE-së në mënyrë që të parandalohet uzurpimi ligjor.
komentet